Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot do të shqyrtohet dorëheqja e deponuar e deputetit dhe nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e RDK-së, Vesel Memedi.
Ai kishte dorëzuar dorëheqjen deri tek kryeparlamentari Xhaferi, duke thënë se në séance e 9 korrikut do të bëj të ditur detajet e vendimit të tij të dorëheqjes si deputet, por edhe partisë nga koalicioni qeveritar.
Vendimi i tillë pasoi pasi që RDK-së iu mor ministria e Pushtetit Lokal me rikonstruimin qeveritar.

Memedi deri tani as nuk i mohoi por as nuk i pohoi zërat se është bërë pishman për dorëheqjen e parevokueshme.

“Përgjigjen do ta merrni në seancën e radhës të Kuvendit kur do jem në rend dite” theksoi për TV21 kreu i RDK-së. Sipas rregullores së Kuvendit, Memedi ka afat deri më sot ta tërheqë kërkesën për dorëzim të mandatit. Përveç deponimit të dorëheqjes së tij si deputet, dorëheqje kanë dorëzuar edhe drejtorët dhe zëvendësdrejtorët nga radhët e RDK-së. Në rast se i qëndron fjalës së tij se tërhiqet nga koalicioni qeverisës dhe nga mandati i deputetit, atëherë në vendin Memedit vjen Arta Toçi nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarët.