Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se Alexis Sanchezi e ka aftësinë për t’i shënuar 20 gola gjatë ndeshjeve të sezonit të ardhshëm, por fillimisht i duhet ta gjejë formën e tij të mirë.

Kiliani Alexis Sanchez ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë që kur u transferua në “Old Trafford” nga Arsenali, para 18 muajve. Shumë pyetje janë ngritur mbi investimin e “Djajve të kuq” te ky futbollist, që është më i paguari në skuadrën e tyre,
Lëndimet e kanë luajtur një rol të madh, mirëpo, edhe nëse merren parasysh lëndimet, vetëm pesë gola dhe nëntë asiste në 45 paraqitje është nën nivelin e pritur për 30-vjeçarin, i cili kishte shkëlqyer gjatë kohës së tij me “Topçinjtë”.

Megjithatë, Solskjaer nuk është dorëzuar për Sanchezin dhe ai insiston se do të bëjë gjithçka që ka mundësi për ta kthyer ish-yllin e Barcelonën në formën e tij të mirë, të cilën e shfaqi në Londër.

“Ne e dimë se çfarë aftësish ka ai. Ne duhet ta gjejmë një mënyrë – unë me Alexisin, me skuadrën – sepse ai është futbollist i nivelit më të lartë”, ka thënë trajneri norvegjez në një intervistë për BBC.

“Nëse mund t’i japim zjarr fillimisht formës së tij, atëherë ai do t’i shënojë lehtësisht 20 gola në një ecuri të mirë të ndeshjeve”.

“Nuk më pëlqen shumë të flas për individë, por Alexis ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave që kur erdhi këtu. Ai e pati një periudhë fantastike në Arsenal dhe ne duam që ai ta rigjejë formën e tij si golashënues në Old Trafford. Kjo mund të ndihmojë shumë”.

Përkundër që sezoni i tij me Manchester Unitedin nuk ishte aspak mbresëlënës, Sanchezi tregoi shenja se po i kthehet formës së tij të mirë gjatë rrugëtimit të Kilit deri në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës këtë verë.

Ai shënoi në ndeshjet kundër Japonisë dhe Ekuadorit në Brazil, para se kampionët në fuqi të humbnin në penallti kundër Perusë, në fazën gjysmëfinale të Kupës së Amerikës. Solskjaer mbeti i inkurajuar nga paraqitjet e kilianit.

“Ju e patë atë në Kupën e Amerikës. Ai nuk ka qenë vazhdimisht në formë të mirë për shkak të lëndimeve të tij. Por, ti mund të shohësh cilësinë e tij dhe vetëm mund të shpresosh që ai do t’i kthehet formës së mirë. Tani e ka mundësinë e përsosur për ta bërë këtë gjë”.

Sanchezi është duke i shijuar pushimet e tij, përderisa pjesa tjetër e skuadrës së Manchester Unitedit është duke marrë pjesë në turneun parasezonal në Perth të Australisë, ku deri më tani i kanë zhvilluar dy ndeshje.

Loading...
Global