Manchester Unitedi nuk po pranon t’i fillojë negociatat për shitjen e Paul Pogbas me Real Madridin apo Juventusin, pasi që beson se mund ta bindë yllin francez të qëndrojë në “Old Trafford”.

Ende është e paqartë se ku do të luajë Paul Pogba sezonin e ardhshëm, përkundër që mediat e famshme sportive raportojnë se francezi do t’i bashkohet ose Real Madridit, ose Juventusit, transmeton Gazeta Express.

Por, asgjë nuk është ende e vendosur. AS raporton se Manchester Unitedi ende nuk ua ka dhënë këtyre dy klubeve një çmim për Pogban, pasi që anglezët nuk janë të gatshëm ta negociojnë largimin e tij.

Drejtuesit dhe trajneri i skuadrës, Ole Gunnar Solskjaer, ia kanë bërë të ditur mesfushorit francez se nuk dëshirojnë ta shesin atë gjatë këtij afati kalimtar.

Tani, ditët janë të numëruara, pasi që afati kalimtar në Premierligë do të mbyllet pas një muaji, më 8 gusht. Si shembull, negociatat për transferimin e Cristiano Ronaldo nga Manchester Unitedi në Real Madrid kishin filluar 16 muaj para se të zyrtarizohej blerja e tij.

Vetëm disa gjëra janë të sigurta, pasi që ato janë thënë në mënyrë publike. Pogba ka thënë se do t’i pëlqente një sfidë e re në diku tjetër, ndërsa javën e kaluar agjenti i tij, Mino Raiola, sugjeroi se ai është duke e negociuar largimin e Pogbas nga Manchester Unitedi.

Megjithatë, të dielën, Pogba iu bashkua skuadrës së Manchester Unitedit në kampin stërvitor Carrington dhe ai udhëtoi bashkë me ta për turneun parasezonal të “Djajve të kuq” në Australi.

Solskjaer do të bëjë gjithçka të bindur për ta mbajtur Pogban

Real Madridi dhe Juventusi e kanë fuqinë financiare dhe të dy skuadrat janë të drejtuara nga trajnerë që duan shumë ta kenë francezin në skuadër.

Megjithatë, Manchester Unitedi insiston se nuk dëshiron ta negociojë largimin e Pogbas dhe trajneri Solskjaer do të bëjë gjithçka që të jetë e mundur për t’ia ndryshuar atij mendjen.

Solskjaer kishte qenë trajner i Pogbas edhe më parë, gjatë kohës sa norvegjezi ishte në drejtim të ekipit U-18 të “Djajve të kuq”.

Man Unitedi dëshiron që Pogba ta drejtojë skuadrën

Stafi i norvegjezit e kanë një plan të qartë në mendje për ta formuar një skuadër të karakterizuar nga lojtarët e rinj e të talentuar, me personalitet dhe shumë uri për suksese. Ata dëshirojnë që Pogba të bëhet lideri i kësaj skuadre.