Dy homologët, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ishin të fundit që ranë pre e dy komikëve rusë, Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, që duke u shtirur si ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, folën me ta për çështje të rëndësishme nëpër të cilat po kalon rajoni. Ishte Zaev ai që foli edhe për territoret, duke treguar se kush qëndron prapa kësaj ideje, e dy komikëve ua dha edhe numrin e telefonit të Haradinajt, shkruan Gazeta Express.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ai i Kosovës, Ramush Haradinaj, ranë pre e dy komikëve rusë, Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, të cilët duke përdorur identitete të rreme të liderëve të shteteve, u telefonojnë personaliteteve të njohura dhe bisedojnë me ta për tema të ndryshme.

Vetëm një ditë më parë është bërë e ditur se Zaev, përmes një telefonate që mori nga këta dy, duke menduar se po fliste me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, foli për planin për ndryshim të kufijve të Kosovës, duke thënë se mbrapa këtyre qëllimeve qëndrojnë interesat e Rusisë dhe të Turqisë.

Në një telefonatë që është publikuar në faqen e dy komikëve në YouTube, Zaev duke menduar se po fliste me Poroshenkon ka deklaruar se për idenë e ndryshimit të kufijve kanë rënë dakord edhe dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, por kjo mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan dhe se kancelarja Angela Merkel është totalisht kundër idesë.

Duke dhënë tutje detaje, Zaev është deklaruar se kjo nënkupton që Kosova t’ia japë Serbisë 10 komuna.

Të martën në një konferencë për shtyp, Zoran Zaev ka pranuar se është mashtruar, derisa u shpreh i lumtur se është në një shoqëri të mirë me të mashtruarit, ku marrin pjesë presidenti francez Macron, shefi i NATO-s Stoltenberg dhe këngëtari Elton John.

Zaevi tregoi, gjithashtu, se ai ua kishte dhënë humoristëve rusë numrin e telefonit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se “është e natyrshme që t’ua hapë numrat e telefonit të liderëve rajonalë”, komikëve rusë.

Komikët si duket kanë folën edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi morën numrin e tij nga Zaevi.

Megjithëse, audio nga ajo bisedë nuk është publikuar ende, ishte bërë e ditur se edhe kryeministri Haradinaj kishte rënë pre e komikëve nga telefonata e rrejshme ku këta ishin prezantuar në emër të ish-presidentit Petro Poroshenko.

Haradinaj pati bërë të ditur se e përkrah “mikun e tij”, Petro Poroshenkon për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe se kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov, i dëshiron të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën.

Realisht, emri i kryeministrit “Vovan Lexusov” është një emër i rremë, respektivisht është kombinim i emrave të dy komikëve Vovan dhe Lexus.

Haradinaj i është përgjigjur telefonatës të rremë kinse nga Poroshenko përmes një shkrimi në Twitter, duke mbështetur Poroshenkon për president dhe duke thënë se Vovan Lexusov (një emër i rremë) duhet të bëhet kryeministër i Ukrainës.

“E uroj popullin ukrainas për zgjedhje të lira dhe demokratike. Mikun tim Poroshenko dhe kryeministrin e ardhshëm Vovan Lexusov i dëshirojë të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën drejt integrimeve euroatlantike. Kosova dhe Ukraina qëndrojnë së bashku si popuj të lirisë dhe prosperitetit”, kishte shkruar Haradinaj.

Të parit të Qeverisë së Kosovës i ishte premtuar edhe se Kosova do të njihet nga Ukraina, nëse Poroshenko fiton zgjedhjet presidenciale.

Komikët e kishin konfirmuar se kanë biseduar me Haradinajn në një prononcim për agjencinë ruse të lajmeve, Ria Novosti, derisa kishin thënë se një gjë e tillë kishte ndodhur tri herë.

Lexus dhe Vovan njihen si dy burrat më të çuditshëm në Rusi. Dyshja, emrat e të cilëve janë Alexei Stolyarov dhe Vladimir Kuznetsov, njihet si “prank callers” (thirrësit mashtrues) dhe së fundmi i ka mashtruar këngëtarin Elton John dhe presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Kritikët, megjithatë, dyshojnë se prapa çiftit qëndron një sekret i errët, me dyshimin se kanë lidhje me shërbimin e sigurisë të Rusisë.

Dyshja mori vëmendjen e mediave, kur arriti ta bindë politikanen Nadezhda Savchenko, një ukrainase e cila akuzohet në Rusi për vrasjen e dy gazetarëve rusë, që ta ndalë grevën e urisë.

Përmes një letre të rremë dhe thirrjeve telefonike, dyshja bindi avokatët e Savchenkos se presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i kishte bërë një kërkesë personale që ajo të ndalonte grevën e urisë.

Vovan dhe Lexus, emrat me të cilët ata njihen, në të kaluarën kanë thirrur persona të famshëm si Elton John, duke pretenduar se janë Putini, dhe duke premtuar se do të reformojnë qasjen ruse në ligjet e LGBT-së. Artisti Elton John, një kritik i ashpër i ligjeve të Rusisë mbi “propagandën e homoseksualëve”, më parë kishte thënë se donte të takohej me presidentin rus, për të folur për të drejtat e homoseksualëve dhe ishte i kënaqur kur dëshira e tij u bë e vërtetë.

Loading...