Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj agjencisë ushtarake të kundërzbulimit të Venezuelës, pas vdekjes së një kapiteni të marinës, gjatë kohës sa ishte në paraburgim.

Sanksionet e reja, të shpallura nga departamenti i Thesarit i SHBA-së më 11 korrik, ngrijnë çdo aset në SHBA të Drejtorisë së Përgjithshme të Kundërzbulimit Ushtarak të Venezuelës

“Arrestimi me motiv politik dhe vdekja tragjike e kapitenit, Rafael Acosta, ishte e pajustifikueshme dhe e papranueshme,” tha në një deklaratë sekretari i Thesarit, Stiven Mnuchin.

“Jemi të angazhuar t’i japim fund trajtimit çnjerëzor të regjimit të Nicolas Maduros ndaj kundërshtarëve politikë, civilëve të pafajshëm dhe pjesëtarëve të ushtrisë si një përpjekje për të shtypur mospajtimin”, shtoi ai.

Kapiteni u arrestua në qershor, nën akuzat se ka bërë komplot për të vrarë presidentin e kontestuar të Venezuelës, Nikolas Maduro.

Venezuela me muaj të tërë është e përfshirë nga trazirat dhe tensionet politike, Nicolas Maduro po refuzon kërkesat e opozitës për t’u larguar nga pushteti. Miliona njerëz e kanë braktisur vendin si pasojë e krizën ekonomike dhe varfërisë.

Udhëheqësi i opozitës Huan Guaido, në janar, e shpalli veten president të përkohshëm.

Më shumë se 50 vende të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Guaidon.

Ndërkaq Maduro gëzon mbështetjen e Rusisë, Kinës, Kubës dhe disa vendeve tjera.

Loading...