Roma është duke e përgatitur një ofertë të re për sulmuesin e Juventusit, Gonzalo Higuainin, në vlerë prej 36 milionë eurove, me kontratë prej pesë milionë eurove në vit, sipas të përditshmes italiane, Corriere dello Sport.

Sulmuesi argjentinas i kaloi sezonin e kaluar i huazuar në Milan për gjashtë muaj dhe pjesën e dytë të sezonit u huazua në Chelsea. Megjithatë, ai nuk arriti të lë shenjë në asnjërin klub, .

Atij i është bërë e qartë se nuk është pjesë e planeve të Juventusit për sezonin e ardhshëm, përkundër që tani në pozitën e trajnerit është ish-trajneri i tij në Napoli dhe Chelsea, Maurizio Sarri.

Sipas të përditshmes italiane, Corriere dello Sport, Roma synon ta bindë Higuainin për ta pranuar ofertën e tyre të re në mënyrë që transferimi i tij të mund të kompletohet sa më shpejtë dhe ai të përshtatet më lehtë me skuadrën e verdhekuqve.

Transferimi i sulmuesit argjentinas nga Juventusi do t’i kushtonte Romës 36 milionë euro, si dhe lojtari do të nënshkruante marrëveshje katërvjeçare, me pagë prej pesë milionë eurosh në vit.

Sapo t’i siguronte shërbimet e Higuainit për sezonin e ardhshëm, Roma do ta lironte Edin Dzekon t’i bashkohet Interit për 15 deri në 20 milionë euro, si zëvendësues i Mauro Icardit, i cili s’është në planet e trajnerit të ri të Interit, Antonio Contes.

Megjithatë, 31-vjeçari e ka filluar turneun parasezonal me skuadrën e “Zonjës së Vjetër” dhe ai ia ka bërë të qartë klubit se preferon të qëndrojë në “Allianz” më shumë sesa ta gjejë një klub të ri, përkundër që Maurizio Sarri nuk do të ketë vend për të në formacionin e parë