Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Britania do të përballet me “pasoja” për shkak të kapjes së cisternës iraniane, javën e kaluar.

Agjencia e lajmeve IRNA e citoi atë duke thënë se konfiskimi i cisternës “është i lig dhe i gabuar”.

Të enjten e kaluar, marinsat britanikë u ndihmuan zyrtarëve në Gjibraltar të kapin super-cisternën Grace 1, pasi dyshohej se ajo bartte naftë nga Irani në Siri, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian.

Irani kërkoi lirimin e menjëhershëm të cisternës.

“Ju jeni iniciator i pasigurisë dhe do t’i kuptoni pasojat”, paralajmëroi Rohani Qeverinë britanike.

Konfiskimi i cisternës vjen në kohën kur tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë në rritje, për shkak të një marrëveshjeje bërthamore, nga e cila presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr vitin e kaluar dhe ka nisur rikthimin e sanksioneve kundër Iranit.

Në javët e fundit, Irani ka nisur të shkelë kufijtë e pasurimit të uraniumit, të përcaktuar me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Me uranium të pasuruar, Irani mund të krijojë potencialisht armën bërthamore.

Por, Rohani tha të mërkurën se vendimi i Iranit për të rritur pasurimin e uraniumit ka qëllime paqësore.

Në maj të vitit të kaluar, kur Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore, ai ka thënë se kushtet e saj nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.

Nënshkruesit evropianë të marrëveshjes – Franca, Britania, Gjermania – i kanë bërë thirrje Iranit që t’iu përmbahet kushteve të saj.

Nënshkruese të marrëveshjes janë edhe Rusia dhe Kina.

Loading...
Global