Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka vendosur që t’i qaset rastit të sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski, në lidhje me dyshimet për rregullim tenderi. Nga ky institucion sqarojnë se rasti nuk mund të anashkalohet, ashtu edhe si lëndët tjera për të cilat është vepruar në bazë të informacioneve në opinion. Ata vlerësojnë se rasti ka elemente për t’u shqyrtuar dhe procedura do të vazhdojë si me të gjithë rastet e tjera të ngjashme.

Ndërkohë, ekspertët u bëjnë thirrje institucioneve kompetente të zbardhin në tërësi këtë rast dhe rastet e tjera të ngjashme. Ish anëtari i Anti-korrupsionit Arif Musa vlerëson se tani puna i mbetet antikorrupsionit dhe prokurorisë.

Dy organet kompetente duhet të bëjnë punën e tyre. Ata nuk duhet që ta lejnë opinionin në hamendje. Duhet të hapin lëndë, ta hetojnë dhe të vinë në një përfundim zyrtar rreth kësaj çështje. Nuk është mirë që të dy institucionet më të thirrura, edhe prokuroria, edhe Komisioni për parandalimin e korrupsionit të rrinë në heshtje dhe të mbetet dyshimi nëse qeveria fsheh ose nuk fsheh asgjë rreth këtij rasti.”- theksoi Arif Musa, ish anëtar i Antikorrupsionit

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski akuzohet për rregullim tenderi për pajisje me sistem radari të M-Nav të cilin e ka fituar firma shtetërore italiane “Leonardo”. Dyshimet dhe akuzat erdhën pas publikimit të bisedës në zyrën e tij, të cilën mendohet se e ka incizuar ish drejtori teknik i M-Nav Klime Çepunovski. Para mediave, Rashkovski nuk sqaroi përmbajtjen e bisedës dhe përdorimin e  shprehjes “Leonardo do të fitojë” por u arsyetua me pengesa disavjeçare të mëhershme në furnizimin me këtë pajisje për të cilën u paralajmëruan edhe padi. Padi Rashkovski paralajmëroi edhe ndaj gazetarëve, mediave dhe personave të tjerë të cilët kanë përpunuar ose shpërndarë bisedën dhe që kanë njoftuar mbi atë./Alsat-M/