Franca mohoi se ka shkelur një embargo armësh të Kombeve të Bashkuara, edhe pse katër raketa të saj anti-tank janë gjetur në bazën e një komandanti rebel në Libi.

Ministria e Mbrojtjes e Francës tha se nuk është synuar kurrë që raketat “e papërdorshme” Javelin të kalonin te ndonjë grup dhe se ato ishin në prag të shkatërrimit.

Megjithatë, raketat janë zbuluar në një kamp në jug të kryeqytetit libian, Tripoli, të përdorur nga forcat besnike të gjeneralit Khalifa Haftar.

Forcat e Haftarit po luftojnë aktualisht për kontrollin e Tripolit.

Lufta për këtë qytet, i cili kontrollohet nga një qeveri e njohur nga Kombet e Bashkuara, është intensifikuar kur forcat e Haftarit kanë nisur ofensivën në muajin prill.

Katër raketat u zbuluan në qershor, kur forcat e qeverisë në Tripoli hynë në kampin e Haftarit.

Ngjarja nxiti hetime nga Uashingtoni.

Të mërkurën, Franca pranoi se armët – që mund të përdoren kundër tankeve dhe automjeteve të tjera – i përkasin asaj.

Por, ajo shtoi se raketat ishin “të dëmtuara dhe të papërdorshme”.

Franca gjithmonë e ka mohuar armatosjen e forcave të gjeneralit Haftar, por ajo u ka ofruar atyre mbështetje diplomatike.

Loading...