Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, nuk do ta emërojë asnjë person në pozitën e zëvendëspresidentit të klubti katalonas, pas dorëheqjes së Jordi Mestres, pasi që do ta mbajë për vete edhe këtë pozitë.

Vetëm disa orë pasi u bë e ditur se Jordi Mestre ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendëspresidentit të Barcelonës pas pesë vjetëve në këtë post, presidenti i klubit, Josep Maria Bartomeu, ka reaguar shpejt, për t’i shmangur spekulimet, transmeton Gazeta Express.

Presidenti Bartomeu vendosi në një takim këtë mëngjes se nuk do ta emërojë asnjë person për ta zëvendësuar Mestren në pozitën e zëvendëspresidentit, njëjtë siç kishte ndodhur me drejtorët e kaluar, si Manel Arroyo, Carles Vilarrubi dhe Susana Monje.

Jordi Mestre kishte qenë ndër drejtuesit e Barcelonës që nga viti 2010 dhe ai u bë zëvendëspresident katër vjet më vonë. Por, largimi i tij vjen në shenjë solidariteti për Pep Seguran, i cili është nën presion, transmeton Gazeta Express.

Mediat lokale në Barcelonë raportuan të mërkurën se Mestre kishte refuzuar t’u bashkohej drejtuesve të tjerë të Barcelonës në një takim të thirrur për ta diskutuar shkarkimin e mundshëm të Seguras.

Drejtori sportiv i Barcelonës është kritikuar mjaft shumë gjatë dy vjetëve që e ka mbajtur këtë pozitë, pasi që transferimet e klubit gjatë kësaj kohe nuk e kanë arritur plotësisht potencialin e tyre dhe i kanë kushtuar katalonasve shumë para.

E përditshmja spanjolle, Sport, pretendon se drejtuesit e “Blaugranëve” janë më së shumti të shqetësuar për punën e Seguras me ekipin e të rinjve.

Mestre ishte ndër të vetmit që ende kishte besim te Segura dhe pasi mësoi për këtë situatë, ai vendosi të japë dorëheqje. Barcelona nuk e ka bërë të ditur zyrtarisht arsyen prapa largimit të tij.

“Jordi Mestre, deri sot zëvendëspresident me përgjegjësi sportive në klub, e prezantoi sot pasdite dorëheqjen e tij të pakthyeshme”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga Barcelona.