Kur punoni shumë çdo ditë dhe ju mbesin para për t’i shpenzuar pasi t’i keni paguar të gjitha detyrimet, atëherë padyshim se duhet të siguroheni se do t’i shpenzoni mirë.

Shkenca ju sugjeron që paratë tuaja t’i shpenzoni në atë se çfarë ju bën të lumtur.

Një studim 20-vjeçar i kryer nga dr. Thomas Gilovich, profesor i psikologjisë, ka konstatuar diçka interesante: mos i shpenzoni paratë në gjëra.

Problemi me këtë fenomen është se lumturia të cilën jua sjellin gjërat zhduket shumë shpejt.

Ka tri arsye kritike se përse ndodh kjo:

– Mësohemi me gjërat e reja që i kemi blerë. Pra, gjëja që dikur na u është dukur shumë e nevojshme dhe e mirë, shumë shpejt kthehet në asgjë sepse veç e posedojmë.

– Vazhdojmë t’i rrisim dëshirat. Blerjet e reja shpijnë në pritshmëri të reja. Posa të mësohemi me një gjë të re që e kemi blerë, ne fillojmë të kërkojmë për një gjë tjetër më të mirë.

– Krahasimi… Gjërat, nga vet natyra e tyre, krijojnë krahasime. Ne e blejmë një veturë të re deh ndihemi shumë të emocionuar derisa një shok i joni e blen një veturë më të mirë.

“Një nga armiqtë e lumturisë është adaptimi. Ne blejmë gjëra që na bëjnë të lumtur dhe e arrijmë këtë. Por, vetëm për një periudhë të shkurtë. Gjërat e reja që i blejmë janë emocionuese në fillim për ne, por pastaj mësohemi me to”, ka deklaruar Gilovich.

Paradoksi i zotërimit të gjërave është se supozojmë që lumturia të cilën e arrijmë kur blejmë diçka do të zgjatë po aq shumë sa vet ajo gjëja që e blejmë. Por, kjo është gabim.

Fuqia e Eksperiencave

Gilovich dhe hulumtuesit tjerë kanë zbuluar se eksperiencat ju furnizojnë me lumturi më afatgjate sesa gjërat materiale.

Qe përse:

Eksperiencat bëhen pjesë e identitetit tonë. Ne nuk jemi gjërat që i kemi, por jemi akumulimi i çdo gjëje që e kemi parë, e kemi bërë dhe i vendeve që i kemi vizituar. Të blerit një orë “Apple” nuk do t’ju ndryshojë juve si person; por nëse merrni pushim nga puna për të bërë hiking në një vend shumë të veçantë, padyshim se do t’ju ndryshojë si person.

Eksperiencat janë pjesë më e madhe e vetës sonë sesa të mirat materiale që i kemi. Ne jemi shuma totale e eksperiencave që i kemi.

Krahasimet kanë më pak rëndësi. Ndryshe nga gjërat materialiste, ne nuk i krahasojmë eksperiencat njësoj sikurse gjërat.

Pritja ka rëndësi. Gilovich gjithashtu ka studiuar pritjen dhe ka zbuluar se pritja e një eksperience shkakton kënaqësi dhe emocionet ë mira, ndërkaq pritja për ta blerë një gjë materiale shkakton mos durim. Eksperiencat janë të kënaqshme qysh nga momentet e para të planifikimit e deri te kujtimet që do t’i mbani mend gjithmonë.

Vlen të ceket se Gilovich me kolegët e tij nuk janë të vetmit që besojnë se eksperiencat na bëjnë më të lumtur sesa gjërat. Dr. Elizabeth Dunn gjithashtu e ka studiuar këtë çështje dhe ka treguar se lumturia të cilën e fitojmë kur blejmë gjëra të reja zhduket shpejt dhe na lë duke dëshiruar më shumë.

Gjërat mund të zgjasin më shumë se eksperiencat, por kujtimet që mbesin gjithmonë janë më të rëndësishme.

Loading...