“Perandoria” është emri i koduar i hetimit të fundit të hapur nga Prokuroria Speciale. Publikuar më 9 nëntor të vitit 2018. Rastësisht ose jo, pikërisht në nëntor të vitit 2018 fillon dhe përshkrimi i veprimeve të “tregtisë me ndikim” në lëndën që e bëri publike Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar kundër Bojan Jovanovskit- Boki 13 dhe Zoran Milevskit- Zoki Kiçeec. Të dy janë nën hetim për shkak se nga ai muaj dhe vit kanë filluar të kërkojnë para nga personi i dyshuar, me qëllim prokurori, të cilit deri tani Prokuroria Publike nuk e tregon me emër, të ndërpresë hetimin ose i dyshuari të fitojë rrethanat lehtësuese. “E veçanta” e parë lidhur me rastin “Perandoria” ishte që në fillim. Kur PSP-ja publikoi hetimin, ndryshe nga praktikat e mëparshme, nuk mbajti konferencë për shtyp. Në vend të kësaj, publiku mori vetëm njoftim:

Njoftim i PSP-së

“Pas kryerjes së një procedure të gjerë paraprake hetimi sot është hapur hetim nën emrin e koduar “Perandoria” kundër Jordan Kamçev, Sasho Mijallkov, Nenad Josifoviq, Cvetan Pandeleski, Ratka Kunoska Kamçeva dhe shtatë persona të tjerë për kryerjen e veprës penale grupim kriminel, dëmtim ose privilegj të kreditorëve, shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizime, mashtrim dhe pastrim parash dhe të ardhura të tjera të veprave të dënueshme “- njoftoi PSP më 9 nëntor të vitit 2018.

Pesë persona përfunduan në paraburgim, përfshirë dhe biznesmenët Jordan Kamçev dhe Cvetan Pandeleski, pronar i “Pelisterka” dhe ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov. Tre ditë më vonë u raportua se ishte konfiskuar dhe pasuria e patundshme ose ishin ngrirë llogaritë bankare të “Orka Holding”, “Eksiko” dhe “Timoh”. Ndonëse dy herë ishte paralajmëruar asnjëherë nuk është zgjeruar hetimi. Gjykata dhe PSP-ja nuk e pranuan edhe garancinë e Jordan Kamçevit me vlerë rreth 14 milionë euro për të dalë nga burgu në arrest shtëpiak. Por, vetëm dy javë më vonë, në fund të dhjetorit, PSP-ja me vetiniciativë u pendua dhe në vend të dënimit të deriatëhershëm me burg, kërkoi arrest shtëpiak për të dyshuarit në këtë lëndë. Pas reagimeve të mëdha në opinion, për shkak të daljes së papritur nga paraburgimi të Kamçevit, Mijallkovit, Pandeleskit, prokurorja Katica Janeva u paraqit në intervistë në Kanal 5 në tentim për të arsyetuar hapin e saj. Arsyetimi ishte se janë mbledhur me sukses të gjitha provat dhe dëshmitë e nevojshme.

Kështu që prania e të dyshuarve në paraburgim nuk është e nevojshme. Nuk mund të ndikojnë në vetë hetimin me ndikim te disa dëshmitarë ose ta përsërisin veprën- tha Katica Janeva më 29.12.2019.

Por, përballë qëndrimit të këtillë të Janevës nga fundi i dhjetorit të vitit 2018 se të dyshuarit nuk mund të ndikojnë te dëshmitarët, në shkurt të vitit 2019, PSP-ja doli me vlerësim krejtësisht ndryshe. Jo në kumtesë, por në kërkesën për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për Jordan Kamçev të 6 shkurtit, rast ky që biznesmeni arriti ta dërgojë në Gjykatën Supreme.

Vendimi i Gjykatës Supreme i datës 04.03.2019 nën VKZH1.nr.13/2019.

„I akuzuari nëse lëshohet që të mbrohet në liri, do ta pengojë procedurën penale përmes ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe bashkëpjesëmarrësve”

Kamçevi doli edhe nga arresti shtëpiak. Ai dhe të dyshuar të tjerë në “Perandoria” ishin të parët që përfituan nga mendimi parimor juridik i Gjykatës Supreme nga fundi i janarit, sipas të cilit, PSP-ja nuk është paditës i autorizuar në lëndët për të cilat nuk është parashtruar aktakuzë deri më 30 qershor të vitit 2017. Ndërsa “Perandoria” është pikërisht lëndë e tillë. Vetëm një muaj më vonë, në mars, rasti “Perandoria” u bë sërish aktual në opinion. „360 Gradë“ publikoi se ka ndodhur përmbytje në hapësirat e PSP-së, në të cilën është përfshirë edhe material dëshmues edhe nga “Perandoria”. Nga PSP-ja e konfirmuan ngjarjen dhe sqaruan se është duke u kontrolluar nëse ka edhe dokumente të dëmtuara që nuk kanë qenë të skanuara në formë digjitale. Deri sot, PSP-ja nuk ka parashtruar aktakuzë lidhur me këtë rast. Për këtë gjithsesi ndikoi mendimi i Gjykatës Supreme se prokuroria nuk mund të hapë lëndë të reja pas 30 qershorit të vitit 2017. Por, nga ana tjetër, PSP-ja asnjëherë nuk tentoi t’i testojë gjykatat më të ulëta dhe të parashtrojë aktakuzë. “Perandoria”, si edhe hetimet tjera, mbetën të presin ligjin e ri për PSP-në, që duhet të zgjidhë edhe statusin e hetimeve “të reja” të PSP-së.

Alsat