Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp Karrenbauer u angazhua sot se do të rrisë shpenzimet ushtarake të vendit të saj në 15% të PBB-së deri në vitin 2024, me qëllim respektimin në kohë të objektivit të 2% të vendosur për të gjithë anëtarët e NATO-s.

“Ne jemi një partner besnik i NATO-s dhe të tillë duam të jemi në të ardhmen”, deklaroi ajo në Bruksel gjatë takimit të saj të parë me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Ne kemi vendosur si objektiv vitet e fundit një rinovim të ushtrisë gjermane. Për ta arritur këtë, në një interes kombëtar, ne kemi nevojë për mjete e nevojshme financiare. Kjo do të thotë se kemi nevojë deri në vitin 2024 të rrisim shpenzimet në 1,5% të PBB-së dhe duhet të vazhdojmë në këtë drejtim për të arritur objektivin brenda NATO-s të 2% të PBB-së”, u shpreh ajo gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Stoltenberg.

Anëtarët e NATO-s u angazhuan që të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen në 2% të PBB-së në vitin 2024. Vetëm gjashtë vende (Greqi, Estoni, Letoni, Rumani, Poloni dhe Britania e Madhe) kanë arritur këtë objektiv në vitin 2019, ndërsa Lituani është në 1,98%, sipas të dhënave të NATO-s.