Edhe përkundër konfirmimeve të autoriteteve përgjegjëse se problemi me derdhjen e ujërave fekale në Liqenin e Ohrit është zgjidhur, kamera e televizionit Alsat regjistroi dy vende në lagjen Grashnicë ku ende gjendja është e njëjtë. Nga Ndërmarrja publike Proakva thonë se bëhet fjalë për problem që është i pranishëm ndër vite.

Gjatë fundjavës ne 24 orë ishim në terren, punuam, bëmë rregullime dhe e përforcuam rrjedhjen. Në Grashnicë tani nuk ka derdhje, por patjetër të punojmë edhe në vazhdim. Ato nuk janë krejtësisht ujëra fekale, problemi pak është më i ndërlikuar. Kjo pjesë e bregut është një nga pikat më problematike në bregun e Ohrit ku paraqiten probleme të këtilla për shumë arsye- deklaroi Vladimir Aleksieski.

Një nga arsyet për gjendjen e këtillë është mosfunksionimi i sistemit të kolektorit dhe kapaciteti i stacionit të pompave, thonë nga Proakva. Javën e kaluar në tre vende në brezin prej Grashnice deri tek pushimorja Partizan, nga Inspektorati shtetëror sanitarë u vendosën tre tabela paralajmërimi për ndalimin e larjes, por gjatë fundjavës ato ishin hequr. Ambientalistët bëjnë thirrje që urgjentisht të zgjidhet ky problem, pasi shumë turistë këto plazhe i shfrytëzojnë për pushime.

Ne nga Shoqata ekologjike nuk jemi për ndalesën e larjes dhe kjo është gabim që u bë kështu. Kërkesa jonë është të paktën gjatë verës, pompat në lagjen Daljan të punojnë pa ndërprerë, jo njëra, por katër pompat, që të mos ketë derdhje në atë vend. Dje kishte përmirësim, por shohim që ende ka probleme të pazgjidhura- tha Boris Gjeorgjieski, Shoqata ekologjike Grashnica- Ohër.

Sipas informatave të televizionit Alsat, popullata dhe hotelierët e kësaj ane të Ohrit grumbullojnë nënshkrime për peticion me kërkesë për zgjidhjen e problemit dhe të njëjtën do e dorëzojnë në Komunë dhe në Qeveri. Nga Proakva premtojnë se nga viti i ardhshëm, ndërmarrja e re publike shtetërore Sistemi i kolektorit, do fillojë me sanimin e pjesëve më kritike si dhe pastrimin e tubacionit i cili në masë të madhe ka qenë i braktisur dhe jofunksional. Për problemin shtesë të moskujdesit ndaj Liqenit të Ohrit, flasin edhe këto pamje që i bënë palombarët e klubit Akuatek nga Ohri, ku dje në thellësitë e Liqenit në Saraishte dhe tek Ura e dëshirave në thellësi prej 5 metrave nxorën një vaskë dhe dete tualeti.