Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, u bë pre e dy komedianëve rusë, të cilët u shtirën sikur ishin ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko dhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Zaev pas publikimit në Youtube të kësaj telefonate u detyrua të dalë edhe në një konferencë për media dje duke pranuar se ishte pre e një shakaje, por gjithashtu tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje për këtë, njofton Klan Kosova.

Krejt kjo situatë e krijuar zgjoi shumë debat dhe tallje me Zaevin në Maqedoninë e Veriut.

Analisti Xhelal Neziri në Info Magazine të Klan Kosovës tregoi për gjendjen atje pas këtij skandali.

“Në aspektin politik kjo bisedë e Zoran Zaevit po vlerësohet si skandaloze, sepse nuk ka vënë në tallje vetëm atë dhe personalitetin e tij, por edhe gjithë Qeverinë. Opozita menjëherë kërkoi që të vetë Zaev të jep dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme”.

“Ndërsa në rrjetet sociale ka pasë shumë shaka për shkak të disa rasteve siç ishte ndërtimi i fabrikës së çokollatave apo edhe të tjerat të ngjashme”.

Neziri tha se kjo nuk ka qenë vetëm shaka por prapa kësaj qëndron Kremlini që i përdor këto telefonata edhe për arsye politike.

“Kjo dëshmon se Kremlini qëndron prapa tyre, i cili dëshiron që të arrijë dy efekte; të diskretitojë liderët e vendeve të caktuara dhe të merr informacione më sekrete”.

Në bisedën e zhvilluar telefonike ishte edhe tema e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Zaev tha se është kundër kësaj sepse do të nxiste luftë sërish.

“Që nga fillimi apo hapja e kësaj ideje për shkëmbim kufijsh si një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, Maqedonia e Veriut ka mbajtur një qëndrim që është kundër. Sipas autoriteteve kjo do të çonte në një luftë të re ballkanike”

“Ajo që Zaev i thotë Stoltenbergut të supozuar mendoj se buron pikërisht nga ky qëndrim që pas një marrëveshje të tillë. Do të motivoheshin edhe forcave radikale në Maqedoni, pra të shqiptarëve etnikë edhe ata të shkëputën nga ata dhe të ketë një bashkim të mundshëm me Kosovën apo Shqipërinë”.

Neziri tha se ky mashtrim që iu bë Zaevit është një dështim total i anëtarëve të kabinetit të kryeministrit që kanë lejuar një gjë të tillë. Sipas tij para opinionit Zaev është një politikan pro perëndimor dhe është në shënjestër të qarqeve.

Vladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolarov janë dy komedianët që i futen në kurth edhe presidentin francez, Emmanuel Macron dhe këngëtarin Elton John.