Një informacion i mbërritur në policinë e Elbasanit, se një person ende i paidentifikuar, ka takuar afër një pike karburanti njërin nga vëllezërit Baho, Klevi Baho, para se atyre ti bëhej atentat me armë, ka sjellë kontrollin e disa banesave në fshatin Papër të Elbasanit. Situata në 1 korrik në këtë zonë ka qënë shumë e tensionuar, pasi gjatë natës dy vëllezërve Klevi dhe Aldo Baho, u ishte bërë atentat me 24 plumba kallashnikovi, ku njëri prej tyre Klevi mbeti i vrarë dhe tjetri i plagosur rëndë. Kontrollin e banesave që policia kishte selektuar u është besuar repartit special RENEA në Tiranë, ku efektivët e këtij reparti gjatë kontrollit në ambjentet e karburantit “E. Petrol”, krejt rastësisht kanë zbuluar një bazë armatimi, që besohet se i përket një grupi kriminal të fuqishëm në Elbasan. Bëhet fjalë për 17 armë të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia e Elbasanit dhe të gjitha janë dërguar për ekspertim balistik dhe daktilografik në institutin e policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme.

Pjesa më e madhe e armëve janë moderne dhe që i përkasin prodhimit Frances dhe Belg, armë këto që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO. Vetëm 7 janë kallashnikovë dhe një armë gjahu çifte. Ndërsa pjesa tjetër janë armë të sofistikuara dhe që kanë një preçizion të lartë në qitje. Mes tyre ka dhe snajpera modern. Ndërkohë mësohet se 5 janë pistoleta me silenciator. Nuk dihet se në çfarë rrethana dhe si kanë hyrë në Shqipëri ky armatim që përdoret nga ushtritë e NATO-s, por tashmë prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim edhe me drejtorinë qendrore të policisë së Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore me qëllim zbulimin e personave që kishin në pronësi këto armë. Lidhur me këtë ngjarje, momentalisht është shpallur në kërkim policor një person i cili quhet Ilir Beko. Ky person rezulton të jetë dhe pronari i karburantit “E. Petrol”, ku në ambientet e këtij karburanti në një magazinë, policia gjeti arsenalin e madh të armëve. Sipas burimeve ky person nuk ka asnjë lidhje me prokurorët e Elbasanit, por prej vitesh ka ushtruar aktivitetin e tij tregtar me disa pika karburanti në zonën e Elbasanit. I gjithë operacioni i policisë dhe prokurorisë është mbajtur super sekret pasi depoja e armatimit është zbuluar qysh në 1 korrik.

Me sa duket grupi hetimor kërkon dhe shpreson të hedhë dritë mbi atentatin me 24 plumba ndaj dy vëllezërve Baho në Papër të Elbasanit. Kontakti i fundit me një person ende të paidentifikuar në këtë pikë karburanti është ai që ka pasur viktima Klevi Baho. Gjithmonë sipas burimeve një person i është afruar Klevi Baho, duke i thënë “…Ti je Klevi…? 22-vjeçari është përgjigjur duke i thënë:“…Nuk jam unë…”. Është larguar dhe në atë moment i ka telefonuar vëllait të tij i cili ka mbërritur menjëherë me automjetin tip “Audi” me targë AA 33 AZ. Të dy kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të banesës së tyre që ndodhet më shumë se dy kilometra larg nga rruga nacionale. Sapo dy vëllezërit kanë marrë rrugën drejt shtëpisë, pas tyre është vënë një tjetër automjet, një Benz, i cili ka nisur të qëllojë me armë teksa makinat ishin në ecje. Me plumba në kokë dhe trup, Klevi Baho ka mundur të dalë nga makina, ndërsa vëllai i tij ka mbetur aty dhe ndihmën e parë ja kanë dhënë familjarët që dolën menjëherë pasi dëgjuan të shtënat. E kanë dërguar me urgjencë pranë spitalit kirurgjik në Elbasan nga ku raportohet se ka marrë tre plumba në shpatull,ndërsa prej afro 40 minutash nuk kanë mundur të gjejnë djalin e vogël të tyre. 22-vjeçari u gjet nga familjarët pas disa kërkimesh poshtë një ure që lidh rrugën nacionale me fshatin. I riu ka qenë me shenja jete dhe familjarët e kanë çuar në spital, por nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të marra dhe aty ka ndërruar jetë.

Policia e Elbasanit thotë se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve, të cilët dyshohet të kenë qenë të paktën dy persona. Nga pamjet filmike në vendngjarje, shihet se makina është bërë shosh nga plumbat. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 30 gëzhoja. Ende nuk ka një pistë kryesore mbi hetimet, por nga të dhënat e para duket se kemi të bëjmë me larje hesapesh për prishje të pazareve të drogës. Viktima kishte vetëm 1 muaj që ishte liruar nga burgu në Belgjikë, ku ishte dënuar për vjedhje ndërsa vëllai tjetër disa vite më parë i kishte shpëtuar një atentati me armë në Itali, atentat për të cilin janë arrestuar dhe dënuar dy shtetas nga Lezha/Shqiptarja

Loading...