Shumë institucione në vend kanë shkelur nenet 7 dhe 23 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pasi nuk kanë respektuar afatin 6 mujorë brenda të cilit, ndër të tjerat, duhet të bënin zëvendësimin e tabelave të vjetra me të reja, në të cilat mbishkrimi me emrin e institucionit do të jetë edhe në gjuhën shqipe. Eksperti juridik, Naser Ziberi thotë se edhe pse ky afat ka përfunduar më 15 korrik dhe shkelja e të njëjtit duhet të sanksionohet, diçka të tillë nuk ka kush ta bëjë, pasi që Inspektorati, që sipas ligjit ka për detyrë të kontrollojë respektimin e ligjit të gjuhëve, nuk është themeluar.

Ky Inspektorat, ndoshta është lëshim, ndoshta me qëllim, nuk ka ndonjë afat të paraparë brenda të cilit duhet të themelohet, por dispozitat nënkuptojnë që brenda një viti Inspektorati duhet të jetë i themeluar dhe duhet të jetë në funksion. Sepse pas kalimit të këtij afati duhet të fillojnë të zbatohen sanksionet në rast mos zbatimi të këtij ligjit.”- theksoi Naser Ziberi- ekspert juridik

Ministritë si: ajo e Ekonomisë, e Arsimit, apo e Kulturës, ku drejtuesit janë shqiptarë i kanë ndryshuar tabelat, por kjo nuk ka ndodhur në shumë institucione të tjera ku drejtuesit janë të ndonjë etniteti tjetër. Sipas Ziberit, përmes programeve për vetëdijesim, pikërisht këtu duhet të përqendrohet Qeveria.

Thuhet se Qeveria menjëherë duhet të sjellë një program, në të cilin do të hartohen programe, të cilat do të ngrenë vetëdijen qytetare për rëndësinë e implementimit të ligjit. Por, unë do të thosha se shumë më e rëndësishme është që ky program t’i dedikohet vetëdijesimit të institucioneve në të cilat titullar nuk është dikush i etniteti shqiptar, sepse zakonisht në këto institucione ngec implementimi i ligjit për gjuhët” – u shpreh Naser Ziberi- ekspert juridik

Ziberi shton se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk po zbatohet me dinamikën e paraparë nga Qeveria. Maqedonia e Veriut është përballur shpesh me kritika në raportet e Komisionit Evropian sa i takon zbatimit të ligjeve që miratohen në Kuvend.

Loading...