Ditën e djeshme Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave.

Ndërkohë 24 orë pas këtij vendimi, ka reaguar Akademia e Shkencave, e cila sot ka vendosur që më datë 19 korrik të zhvillohet një mbledhje të jashtëzakonshme.

Sipas një njoftimi nga vetë Akademia e Shkencave, bëhet me dije se në qendër të kësaj mbledhje do të jetë shqyrtimi i propozimit të Këshillit Ekzekutiv drejtuar Asamblesë për të diskutuar dekretin e Metës.

ASH thekson se Presidenti Meta, ka përdorur forcën e dekretit për të refuzuar emërimin e Skënder Gjinushit në krye të këtij institucioni.

Njoftimi i plotë:

Këshilli Ekzekutiv i ASH u mblodh sot më datë 13 korrik 2019 dhe vendosi që më datë 19 korrik 2019, ditën e premte, në orën 11.00 të bëhet mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqiperisë me këtë rend dite:

– Njohja me Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11223, datë 11.07.2019, dhe shqyrtimi i propozimit të Këshillit Ekzekutiv drejtuar Asamblesë për të kërkuar rikonsiderimin e emërimit të Kryetarit të zgjedhur nga kjo Asamble.

Theksojmë se Presidenti Ilir Meta, ka përdorur forcën e dekretit për të refuzuar emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave. Me një dekret presidencial, Meta ka dhënë arsyet pse sipas tij, ka bërë këtë refuzim. Sipas tij procesi i zgjedhjes së Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave ka qenë me probleme, dhe në momentin e zgjedhjes, Gjinushi ishte kryetar Partie. Gjinushi është zgjedhur kryetar i ASH më 24 maj, ndërkohë që largimi nga partia rezulton në datën 5 qershor, duke shkelur kështu ligjin për zgjedhjen e kryetarit të ASH.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/