E përditshmja spanjolle, Sport, raporton se mbrojtësi anësor Marcelo ka kërkuar të largohet nga Real Madridi gjatë këtij afati kalimtar të verës dhe Arsenali është i interesuar ta transferojë brazilianin.

Pas 13 sezoneve mbresëlënëse në Spanjë, mbrojtësi brazilian Marcelo mendon se ka ardhur koha që ai t’i thotë lamtumirë “Santiago Bernabeut”, transmeton Gazeta Express.

Marcelo besohet se e ka marrë këtë vendim pasi që vendi i tij në ekipin e parë të Zinedine Zidane është i rrezikuar, veçanërisht pas transferimit të Ferland Mendyt nga Lyoni për 47 milionë funte.

Për më tepër, 31-vjeçari është kontaktuar nga përfaqësuesit e disa ndër klubet më të mëdha të Evropës, të cilat i kanë ofruar atij kushte më të mira sesa që i ka aktualisht në Real Madrid.

Njëra ndër këto klube është edhe Arsenali, ndërsa Paris Saint-Germaini, Juventusi dhe Milani besohet se e kanë kontaktuar përfaqësuesin e brazilianit gjithashtu.

“Topçinjtë” e kanë bërë të qartë se ata duan ta përmirësojnë skuadrën e tyre në fazën e mbrojtjes dhe Kieran Tierney besohet se është opsioni i parë i tyre. Mirëpo, trajneri Unai Emery do ta preferonte Marcelon nëse klubi londinez do të mundë ta përballonte financiarisht këtë transferim.

Me Real Madridin, Marcelo i ka fituar katër tituj të La ligës dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve, si dhe 12 trofe të tjera. Ai ka qenë i emëruar pesë herë në ekipin më të mirë të FIFA, tri herë në ekipin më të mirë të UEFA-s dhe një herë në ekipin më të mirë në La Ligës.

Edhe pse ai është 31-vjeçar, Emery beson se skuadra e tij do të përforcohej jashtëzakonisht shumë me ardhjen e Marcelos. /