Romelu Lukaku ka munguar në seancën e tretë stërvitore të turneut parasezonal të Manchester Unitedit në Perth të Australisë, duke nxitur spekulimet për një largim të mundshëm të tij nga “Djajtë e kuq”.

Megjithatë, mediat angleze raportojnë se Romelu Lukaku e ka një lëndim të vogël dhe se stafi mjekësor i Manchester Unitedit nuk dëshironte ta rrezikonte futbollistin, transmeton Gazeta Express.

Manchester Evening News raporton se Lukaku nuk është duke u stërvitur fare për shkak të një lëndimi të vogël, ndërsa Het Laaste Nieuws raporton se belgu është duke u stërvitur ndaras skuadrës.

Qendërsulmuesi belg është për momentin në Australi, bashkë me futbollistët e tjerë të Manchester Unitedit, në mesin e të cilëve edhe Paul Pogba. Të dy këta janë spekuluar për largim nga “Djajtë e kuq” këtë verë.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer i ka thënë Lukakut, se ai është pjesë e planeve për sezonin e ardhshëm, por belgu insiston të largohet dhe të transferohet në Inter, nëse dy klubet arrijnë marrëveshje.

Manchester Unitedi do të përballet pikërisht me Interin më 20 korrik në Singapor, për një ndeshje miqësore të turneut parasezonal, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ardhshëm, 2019/20.

Lukaku frikësohet se ai ka mbetur prapa Marcus Rashfordin në listën për pozitën e qendërsulmuesit në formacionin e parë të “Djajve të kuq”.

Manchester Unitedi nuk po kërkon ta shesë 26-vjeçarin, i cili i ka shënuar 42 gola në 96 ndeshjet e tij që kur u transferua nga Evertoni në vitin 2017. Për ta lejuar atë të largohet, klubi anglez pret ofertë prej 80 milionë funteve.

ESPN ka mësuar se çfarëdo ofertë nën këtë shumë, pa marrë parasysh a ofrohen edhe futbollistë të tjerë të Interit si pjesë e marrëveshjes, do të refuzohen nga Manchester Unitedi.

Loading...
Global