Kapiteni legjendar i Kombëtares së Futbollit, Lorik Cana është përfolur gjatë ditës së sotme si pjesë e Shkëndijës së Tetovës. Fillimisht është spekuluar se Cana mund të jetë pjesë e stafit teknik të Shkëndijës e më vonë si Drejtor Sportiv apo edhe Kryetar i klubit.

Në bisedë me Canën, in7 mëson se kapiteni ynë nuk do të jetë pjesë e Shkëndijës së Tetovës dhe lajmet e shpërndara gjatë ditës së sotme janë vetëm spekulime.
“Do ta mbështes Shkëndijën me çdo forcë. Jam tifoz i zjarrtë i saj. Por vetëm kaq për momentin” – ka thënë për in7, Lorik Cana.

Cana shtoi se raporti me Shkëndijën është vetëm emocional, por jo edhe pjesë e punës.
Shkëndija ditë më parë u eliminua nga garat europiane dhe dëshira e madhe për sukses në Evropë, ka detyruar tifozët të ëndërrojnë për ndryshime dhe surpriza në krye të klubit