Ministria e Financave pritet të jep fjalën përfundimtare mbi përqindjen e buxhetit për Prokurorinë, çështje për të cilën po negociojnë pushteti dhe opozita në kuadër të propozim-Ligjit për Prokurorinë Publike. Opozita kërkon 0.8 për qind nga buxheti shtetëror, ndërsa pushteti tenton të arrijë deri në 0.5. Palët janë marr vesh që si fillim të shqyrtohet mundësua për buxhet prej 0.5 për qind ndërsa në të ardhmen të rritet buxheti. Kryeministri Zoran Zaev pajtohet me rritjen e buxhetit duke shtuar se kjo mundëson pavarësimin e organit të akuzës.

Dëshirojmë të arrijmë deri në 0.5 për qind, që janë shumë para. Do të sigurohet pavarësi shtesë, pasi për mua sistemi i drejtësisë gjysma është prokurori dhe gjysma gjyqësor. Në rast se Prokuroria ka para për ekspertiza, të mos futet ne borxh, t’i përforcojë qendrat hetuese, të ri-ekipohen me shërbime profesionale, administrative dhe prokurorë, besoj se do të bëhet më e fortë dhe më e drejtë”-tha Zoran Zaev, kryeministër.

Opozita gjithashtu kërkon rritjen e përgjegjësisë së prokurorëve dhe Prokurorisë Publike. Në propozimin e saj theksohet që në rast se Prokuroria Publike shkel të drejtat e një individi apo subjekti të dëmshpërblej nga buxheti, ndërsa prokurori për punë jo profesionale të dëmshpërblej nga pasuria e tij. Zaev thotë se negociatat nuk do të çojnë në situatë për kalimin e vijave të kuqe, duke shtuar se në rast që opozita dëshiron zgjedhje, ato do të mbahen në tetor të 2020-ës.

Vijat e kuqe nuk kemi të drejtë t’i kalojmë si garancia për të ardhmen e lëndëve, të ardhmen e PSP-së, strukturat, standardet ndërkombëtare të Prokurorisë Publike dhe besoj se ashtu do të mbetet. Në këtë kuadër besoj se politikanët duhet t’i shmangen të gjitha pretendimeve për zgjedhje të kuadrove në institucionet e drejtësisë. Unë mbetem optimist por nëse duan zgjedhje të parakohshme, ja: tetori i vitit 2020”.-theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Grupet e punës pritet që të vazhdojnë me punë ditën e enjte për të diskutuar pikat tjera për të cilat pajtohen. Ndonëse VMRO-DPMNE-ja është kthyer në bisedime, kryesia e partisë pretendon se pavarësisht konsensusit, pa datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare gjithçka do të vendoset në pikëpyetje. Partia e Hristijan Mickoskit e cila ishte larguar nga bisedimet mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike, për shkak të dallimeve të thella me pushtetin propozoi modelin e saj, ndërsa porositi se pa datë për zgjedhje nuk mund të ketë konsensus. Megjithatë opozita ndryshoi mendje kryesisht pas vizitës së ndihmësit sekretarit amerikan të shtetit, Filip Riker i cili përveç konsensusit kërkoi nga opozita të heq dorë nga lojërat politike. Pushteti pret që Ligji për Prokurorinë Publike dhe fatin e PSP-së të miratohet në fund të muajit gusht, ndërsa ujdia me opozitën të përfshihet përmes amendamenteve.

Adrian Kerimi