Lojtari i ri i Real Madridit, Takefusa Kubo, do të luajë për Real Madrid Castillan gjatë sezonit të ardhshëm, 2019/20, nën drejtimin e legjendës madrilene, Raulit.

Tifozët e Real Madridit që shpresonin ta shihnin japonezin Takefusa Kubo të luante përkrah lojtarëve të ekipit të parë, si Sergio Ramos, Luka Modric, etj, në “Santiago Bernabeu” mund të zhgënjehen pasi që klubi do ta regjistrojë atë si lojtar të ekipit të të rinjve në Federatën e Futbollit të Spanjës,

Kubo do të luajë në Seguda B gjatë sezonit të ardhshëm dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit të ri, Raulit. Megjithatë, varësisht nga paraqitjet e japonezit, ai mund të promovohet gjatë sezonit në ekipin e parë, ashtu siç bëri Viniciusi sezonin e kaluar, nën drejtimin e Santiago Solarit.

Për shkak të moshës së Kubos, në ligjet spanjolle, ai mund të lëvizë lirshëm nga një kategori e futbollit në tjetrën: Juvenil (U19), Real Madrid Castilla (Segunda B) dhe në ekip të parë.

Mirëpo, vendi i tij në ekipin e parë të Real Madridi varet nga numri i vendeve të lira për lojtarë me prejardhje jashtë BE-së brenda skuadrës madrilene. Për momentin, Viniciusi, Militao dhe Rodrygo janë tre lojtarët me nënshtetësi të vendeve jashtë BE-së që janë të përfshirë në skuadrën e Zidanit për sezonin e ardhshëm. Kjo do të thotë se mesfushori japonez do ta fillojë karrierën e tij me Castillan e Raulit.

Nëse klubi vendos ta dërgojë Rodrygon në huazim, siç është spekuluar nga disa media spanjolle, atëherë kjo ta linte një vend të lirë në skuadrën e Zidanit, e cila mund të zihej nga Kubo.

Loading...