Kompania “Beijing Automotive Group” (BAIC) me seli në Kinë ka blerë 5% të prodhuesit gjerman të automjeteve “Daimler AG”, që është kompania kryesore e “Mercedes-Benz”.

Në njoftimin e përbashkët të BAIC dhe “Daimler AG” është bërë e ditur se kompania kineze ka blerë 5% të prodhuesit gjerman të automjeteve.

Ola Kallenius, kryetari i Bordit menaxhues të “Daimler AG”, tha se janë shumë të kënaqur që BAIC është një investitor afatgjatë në Daimler.

“Ky investim do të përforcojë partneritetin tonë të suksesshëm. Në të njëjtën kohë është edhe shenjë besimi në strategjinë dhe potencialin e ardhshëm të kompanisë sonë. Tregu kinez për ne nuk është vetëm për shitje, në të njëjtën kohë është një bazë shumë e rëndësishme për suksesin tonë në zhvillimin dhe prodhimin e produkteve”, tha Kallenius.

Edhe vitin e kaluar një prodhues tjetër kinez i automjeteve, Geely, bleu 9,7% të aksioneve të “Daimler AG” për nëntë miliardë dollarë, kështu që rreth 15% e “Daimler AG” ka kaluar në duart e kompanive kineze.

“Daimler” dhe grupi BAIC që prej 15 vitesh bashkëpunojnë në Kinë. Kompania gjermane në mars të këtij viti për të thelluar bashkëpunimin për prodhimin e makinave elektrike ka blerë 3,93% të aksioneve të “Beijing Electric Vehicle Co” (BJEV), një degë e “BAIC Group”.

Loading...
Global