Komikët rusë Vlladimir Kuznecov – Vovan dhe Aleksej Stoljarov – Leksus u bënë të njohur në korniza globale përmes regjistrimeve audio nga bisedat telefonik me personalitete të njohura, para së gjithash politikanë, të cilëve u janë lajmëruar duke u prezantuar si shefa të shteteve ose qeverive dhe njerëz të parë të organizatave ndërkombëtare.

Në “kurthet” e Vovanit dhe Leksusit, viktimë e të cilëve u bë edhe kryeministri Zoran Zaev, kanë rënë edhe shumë liderë botërorë, në mesin e të cilëve edhe presidentët e Francës, Turqisë dhe Malit të Zi, Emanuel Makron, Rexhep Tajip Erdogan dhe Millo Gjukanoviq, kryeministrat kosovar dhe malazez Ramush Haradinaj dhe Dushko Markoviq, lideri opozitar i Venezuelës Huan Guaido, guvernatori i Kalifornisë, Edmund Xherald Braun, ambasadorja e paradokohshme amerikane në KB, Niki Hejli, sekretari për energji i SHBA-së, Rik Peri, njeriu i parë i Komisionit Evropian, Zhan Kllod Junker, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini…, ndërsa i fundit në vargun është kryetari i Qeverisë maqedonase, Zoran Zaev.

Gjatë bisedave të kurdisura, Vovan i Leksus u janë prezantuar bashkëbiseduesve të tyre sikur janë liderë të tjera. Kështu, në bisedat me Makronin, ata janë prezantuar si presidenti i ri i Ukrainës, Vollodomir Zelenski. Në regjistrimin 15-minutësh të bisedës, Makroni përgëzon “Zelenskin” për fitoren në zgjedhje, ndërsa ky përgjigjet se “ndjehet sikur presidenti rus Vlladimir Putin”, duke aluduar në mbi 73 për qind të votave të fituara në zgjedhjet presidenciale. Pallati Elise refuzoi të komentojë regjistrimin, duke theksuar se “nuk dëshiron as ta konfirmojë, e as ta demantojë autenticitetin”.

Erdoganit, Vovani dhe Leksusi i janë lajmëruar duke u prezantuar si ish presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe ish-kryeministri i Ukrainës, Arsenij Jacenjuk, me ç’rast “i propozojnë” shefit të shtetit turk “Ukraina dhe Turqia të bashkohen kundër Rusisë”. Regjistrimin nga biseda e kurdisur e publikoi televizioni shtetëror rus RT, por administrata e Erdoganit e mohoi besueshmërinë e saj. – Konsideroj se kjo është gënjeshtër, meqë për biseda të këtilla përdoren kanale të posaçme dhe procedura të posaçme, deklaroi atëherë një burim nga Kabineti i Erdoganit.

Komikët rusë e kanë shfrytëzuar “Poroshenkon” edhe gjatë bisedës me Haradinajn, duke i premtuar “njohje të pavarësisë së Kosovës nga Ukraina”, si zëvendësim për mbështetjen e tij publike të shefit të shtetit ukrainas në zgjedhjet e paradokohshme presidenciale.

„Poroshenkon“, këtë herë në dyshe me kryeministrin ukrainas Vollodomir Grojsman, Vovani dhe Leksusi e kanë shfrytëzuar edhe gjatë apelit deri te krerët malazez Gjukanoviq dhe Maroviq, me të cilët kanë biseduar për anëtarësimin në NATO dhe për problemet me “opozitën proruse” në Mal të Zi.

Kur i janë lajmëruar Guaidos, të cilin pjesa më e madhe e vendeve perëndimore e njohin si president legjitim të Venezuelës, komikët rusë janë prezantuar si presidenti i Zvicrës Uli Mauer, duke i premtuar politikanit të Venezuelës bllokimin e llogarive të presidentit të Venezuelës, Nikollas Maduro në bankat e Zvicrës dhe transferimin e së drejtës së përdorimit të këtyre mjeteve te ai.

Vovani dhe Leksusi gjatë aferës rreth helmimit të agjentit të dyfishtë rus Sergej Skripall në Britani të Madhe, i janë paraqitur njeriut të parë të Organizatës për ndalimin e armës kimike, Ahmet Uzumçu, me të cilin kanlë “biseduar për rastin”.

„Poroshenko“ është shfrytëzuar edhe në bisedën me kryeministrin Zaev, ku “ish-presidenti i Ukrainës” shprehet se shkencëtarët ukrainas kanë zbuluar se ai ka “lidhje gjenetike” me Aleksandrin e Maqedonisë.

Në bisedën ku Vovani dhe Leksusi prezantohen si Poroshenko dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zëri për të cilin pohohet se i takon kryeministrit Zaev shprehet se është i “brengosur dhe i frikësuar” nga mundësia për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, meqë kjo mund “të hapë kutinë e Pandorës” në Ballkan.

„Poroshenko“ gjatë bisedës thotë se patriarkut Vartolomej i ka paguar “më shumë se 150.000 euro“ para në dorë për marrjen e tomosit për autoqefalitetin e Kishës Ortodokse Ukrainës dhe „e këshillon“ kryeministrin e Maqedonisë ta bëjë të njëjtën në rastin me KOM-it.

Shaka ose kurdisje serioze politike e “njerëzve të padëshiruar” të Kremlinit

Ndonëse, Vovani dhe Leksusi pohojnë se thirrjet e tyre janë “prank” – shaka e rëndomtë, kurdisje e karakterit argëtues, megjithatë shumica e analistëve vlerësojnë se nuk është bërë fjalë për shaka naive, por për strategji të përpiluar mirë që ka dalë nga laboratori i Kremlinit.

Analistët konsiderojnë se është e pamundshme që “prankerët” rusë të lidhin kontakte telefonike me liderë botërorë, pa mbështetje të konsiderueshme nga shërbimet ruse të sigurisë, duke shtuar se nuk është lehtë t’i lajmëroheni me telefon ndonjë shefi të shtetit.

Por, Vovani dhe Leksusi mohojnë lidhshmërinë e tyre me Kremlinin ose shërbimet ruse, duke pohuar se në realizimin e bisedave “u ndihmon një rrjet i vullnetarëve” dhe se këtë e bëjnë përmes telefonave celularë.

– Nuk na kryejnë kurrfarë kontrolli, me të vërtetë është lehtë të arrihet deri te ata (liderët), deklaroi Vovani për „Guardian“-in.

Ata pohojnë se në shakatë e tyre nuk ka kurrfarë agjende politike, duke potencuar se viktima të tyre nuk kanë qenë vetëm politikanët, por edhe futbollistët, këngëtarët, prezantuesit televiziv dhe personalitete të tjera apolitike.

Por, megjithatë, nuk mund të iket nga fakti se numri më i madh i viktimave janë politikanë dhe se aktivitetet e tyre janë të afërta me qëllimet e Kremlinit, ose gjatë thirrjeve mundohen të marrin informacione që do të mund të jenë të dobishme për Moskën.

Lidhur me vërejtjen se viktima të tyre asnjëherë nuk kanë qenë liderët rusë, para së gjithash Putini, ata shprehen se “nuk është lehtë të vendosësh kontakt” me presidentin e Rusisë, meqë për dallim nga shumica e liderëve të tjerë botërorë, ai “nuk përdorë celular personal” dhe bisedat telefonike “i zhvillon përmes kanaleve zyrtare për lidhje”.

Vovani dhe Leksusi tani pranojnë se kanë “vetë-censurë” kur bëhet fjalë për Rusinë. – Nuk duam të bëjmë shaka me Putinin. Nuk duam të dëmtojmë vendin tonë. Nuk duam trazira këtu. Nuk duam të bëjmë diçka që do të ndihmonte armiqtë e Rusisë, shprehen ata.

Aspekti juridik dhe psikologjik i prankut

Në atdheun e Vovanit dhe Leksusit, Rusi, pranku në Kodin penal barazohet me ofendim dhe shqetësim të qytetarëve, gjë që konsiderohet si vepër më e lehtë penale sesa huliganizmi.

Ekspertët juridik rus pohojnë se grumbullimi i dëshmive për dëshmimin e veprave të këtilla është shumë më i vështirë, ndaj sipas rregullës nuk është i mundshëm dënimi i autorëve të kundërvajtjeve të këtilla nën aktakuzën për abuzim.

Në legjislacionet evropiane veprimet e këtilla trajtohen si shkelje e ligjit dhe formë e terrorit, ndaj autorët i eksponohen ndjekjes penale dhe për ta janë parashikuar dënime rigoroze.

Nga ana tjetër edhe psikologët kanë sqarimin e tyre për personat që vendosin të bëjnë këtë lloj të shakave. Sipas tyre, prankerët në esencë janë “individë të paplotë”.

Psikologët konsiderojnë se këta persona kanë mungesë të dashurisë nga të tjerët dhe nuk janë të kuptuar seriozisht nga rrethimi i tyre, ndaj përmes prankeve mundohen të shtypin kompleksin e tyre të inferioritetit dhe pasigurisë.