Në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një vjedhje në filialin e “NLB Tutunska Banka” në komunën e Sarajit. Siç lajmërojnë nga Ministria për punë të brendshme, katër persona të armatosur e kanë kryer vjedhjen. Momentalisht, ende nuk ka detaje se sa para janë vjedhur.

“Rreth orës 10:40 katër persona kanë kryer vjedhje duke kërcënuar me armë dhe më pas i kanë marrë paratë. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, kumtojnë nga MPB.

Nga “NLB Tutunska Banka” në Shkup, thonë se në kohën kur është kryer vjedhja në filiale kanë qenë të pranishëm të punësuarit dhe disa klientë, por nuk ka të lënduar.

Paratë e klientëve janë të sigurta për shkak se banka ka të siguruar të gjitha pronat dhe mjetet, thonë nga “NLB Tutunska Banka”.