Joao Felix ka zbuluar se sa shumë i pëlqen bashkëkombësi i tij, Cristiano Ronaldo, duke shtuar se e ka ëndërr ta ketë një karrierë të ngjashme me portugezin, që tani është ylli i skuadrës së Juventusit.

Joao Felix e kompletoi transferimin e tij në Atletico Madrid për 126 milionë euro këtë muaj, pasi kishte qenë mbresëlënës gjatë ndeshjeve të sezonit të kaluar me Benfican, Sulmuesi i talentuar gjithashtu luajti përkrah Ronaldos në rrugëtimin e Portugalisë në Ligën e Kombeve të UEFA-s, ku në qershor Portugalia u shpall kampione, pas fitores kundër Holandës në finale.

Në një intervistë të dhënë për ESPN, Felix e pranoi se ai ëndërron ta ketë një karrierë të ngjashme me Ronaldon, të cilin shumë e shohim si njërin ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve.

“Cristiano Ronaldo i ka fituar pesë Topa të Artë dhe kjo është ëndrra e çdo futbollisti. Natyrisht që do të doja të jem si Cristiano”, ka thënë Felix.

Felixi kishte ngjallur interesim te klubet më të mëdha të Evropës, para se ta kompletonte transferimin e tij në Atletico Madrid. Ai pritet ta marrë rolin që Antoine Griezmann e la të lirë, kur Barcelona e pagoi klauzolën 120 milionë euroshe për t’ia shkëputur atij kontratën me klubin madrilen.

Kur u pyet se pse e zgjodhi Atleticon, Felixi i përmendi lojtarët e mrekullueshëm të fazës së sulmit që kanë luajtur për këtë klub gjatë viteve të fundit si arsyen pse atë e tundoi oferta e klubit të La Ligës.

“Unë i pashë sulmuesit që Atletico i kishte pasur dhe ata ishin lojtarë të mrekullueshëm, sulmues të mrekullueshëm. Unë dua të jem i radhës në atë listë dhe kjo është arsyeja pse erdha këtu”, shtoi Felix.

Felixi u detyrua ta lërë në gjysmë ndeshjen e tij debutuese për klubin e tij të ri, pasi që pësoi një lëndim të vogël në ndeshjen kundër Numancias. Megjithatë, lëndimi nuk ishte serioz dhe ai u kthye në ndeshjen kundër Real Madridit, ku ndihmoi me golin dhe asistin e tij për ta fituar ndeshjen me rezultat 7:3.