Pasditen e kësaj të hëne në zyrat e ligës italiane të futbollit ka marrë jetë edicioni 2019-2020 pasi është hedhur shorti për kampionatin e ardhshëm.

Në javën e parë ashtu siç e përcaktonte edhe rregullorja mungojnë përballjet e mëdha të cilat do të nisin javën e dytë për të kulmuar në javën e 4-t dhe atë 7-të me derbin e Milanos dhe më pas me atë të Italisë.

Kampionët e 8 viteve të fundit do ta nisin me transfertën ndaj Parmës edicionin e ri të Serie A, ndërkohë që një start të lehtë pritet të ketë dhe Interi që pret Leccen në San Siro. Sfidë e vështirë në letër ajo e Napolit në transfertë ndaj Fiorentinës ndërkohë që aspak të lehtë nuk do ta ketë as Milani në Dacia Arena ndaj Udineses vendase.

Roma ndërkohë në javën e parë pret në shtëpi Genoan. Dy përballje big do të vinë menjëherë në javën e dytë pasi luhet në kryeqytet derbi i Romës, Lazio-Roma ndërkohë që në Allianz Stadium, Juventusi pret një nga rivalët për titull, Napolin.

Në javën e 4-t do luhet derbi i Madoninës Milan-Inter, ndërkohë që një javë më pas Interi do të sfidojë Lazion dhe po në San Siro në javën e 7-të do të presë Juventusin. Në javën e 12-të Milani do të sfidojë Juventusin në të 13-ën kuqezinjtë do të masin forcat me Napolin në një kalendar që vjen në malore, ndërkohë përpara sfidës ndaj Milanit, Juventusi në javën e 11-të luan në transfertë derbin ndaj Torinos.

Sfida e fundit mes dy skuadrave të mëdha do të jetë ajo e javës së fundit mes Romës dhe Juventusit e cila përkon në të njëjti raund me Inter-Atalanta që është një tjetër ndeshje me interes të madh. Sezoni 2019-2020 i Serie A do të nisë fundjavën e 24 dhe 25 gushtit.