Ligji i ri për Përdorimin e Gjuhëve, që parashikon avancimin e shqipes në Maqedoninë e Veriut u prezantua me pompozitet të madh nga partnerët e Qeverisë aktuale, por një vit e gjysmë pas miratimit, zbatimi i tij në praktikë le shumë për të dëshiruar. E vetmja gjë që ka ndryshuar janë disa tabelat të institucioneve.

Por, ka edhe tabela sinjalizuese si kjo në lagjen Autokomand të Shkupit, ku emri mbishkrimi në shqip është fshirë me ngjyrë të zezë dhe për këto veprime raciste kundër shqipes askush nuk jep përgjegjësi.

Gazeta Lajm ka filmuar edhe tabelat e autostradës Kumanovë-Shkup. Në asnjërën prej tyre nuk gjen zbatim gjuha shqipe. Madje edhe tabelat e reja, vendosen vetëm në maqedonisht dhe anglisht.

Në shumë raste është raportuar edhe për përdhosjen e gjuhës shqipe nga institucione të ndryshme, që gjatë përkthimit me apo pa qëllim bëjnë gabime të shumta.

Ndërkohë, edhe gjashtë muaj pas fuqizimit të Ligjit për përdorimin e Gjuhëve ende nuk është formuar Inspektorati Shtetëror, që duhet të ndjek zbatimin e drejtë të gjuhës shqipe nëpër institucionet e vendit.

Paaftësinë e tyre për të zbatuar Ligjin, zyrtarët shqiptarë mundohen ta arsyetojnë me zvarritjen e afateve dhe duke hedhur fajin nga njëri tek institucioni tjetër.

BDI-ja, që ka fituar besimin e shqiptarëvetë Maqedonisë së Veriut që nga viti 2002 disa herë ka thënë se e ka zyrtarizuar gjuhën shqipe me ligj, megjithatë faktet flasin të kundërtën.

Madje, edhe ligji i fundit që avancon përdorimin e shqipes ende nuk zbatohet në praktikë, ndërsa zyrtarët shqiptarë janë të pafuqishëm t’u garantojnë qytetarëve që përfaqësojnë edhe ato të drejta që ua garanton ligji.

Video: