Sot bëhen pikërisht tre vjet nga triumfi i Portugalisë në finale të Kampionatit Evropian 2016, ku e mposhti Francën.

Një lëndim i Cristiano Ronaldo në minutën e tetë të ndeshjes e detyroi portugezin të dorëzohet disa minuta më vonë dhe të largohet nga fusha pas 34 minutash lojë, duke e lënë Portugalinë me sfidën e vështirë për ta mposhtur Francën pa yllin e skuadrës, transmeton Gazeta Express.

Asnjëra skuadër nuk ishte e aftë ta zhbllokojë rezultatin brenda 90 minutave lojë, kështu që ndeshja shkoi në kohën shtesë dhe aty e pati mundësinë zëvendësuesi Eder të shndërrohet në hero.

Në minutën e 109-të të ndeshjes, Eder e mposhti portierin francez Hugo Lloris me goditjen e tij nga larg, duke e dërguar topin në qoshen e poshtme në anën e majtë të portës.

Pas 11 minutash, gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes dhe Portugalia e fitoi për herë të parë një trofe të madh ndërkombëtar.

Ronaldo nuk mundi t’i përmbajë emocionet e tij anash fushës dhe ai vazhdimisht e shtyu trajnerin Fernando Santos dhe vrapoi në fushë, duke e harruar plotësisht lëndimin e tij.

Pas ndeshjes, Ronaldo e dha një fjalim në zhveshtoren e Portugalisë, ku i falënderoi të gjithë për punën e tyre dhe tha se ishte një arritje e madhe. Videoja e këtij fjalimi është rishfaqur online.

“Do të doja ta falënderoj këtë njeri këtu (bën me gisht drejt trajnerit Santos). Pikë së pari, pa të, asnjëri prej nesh nuk do të ishim këtu. Së dyti, të gjithë lojtarët, të gjithë stafin, të gjithë të përfshirët në këtë sfidë”, u shpreh Ronaldo.

“Askush nuk besoi te Portugalia, por e vërteta është se ne e arritëm qëllimin. Të gjithë ne. Ne e arritëm”.

“Jam shumë i lumtur, kjo është dita më e lumtur e jetës sime. Harrojini trofetë individuale, Ligën e Kampionëve, ky moment këtu është më i lumturi i jetës sime”.

“Kam qarë tri apo katër herë deri më tani. Vëllai im më tha të qetësohem dhe unë i thashë: “Hugo, nuk mundem”. Është e vërtetë, prej thellësisë së zemrës sime, betohem në jetën e djalit tim, jam jashtëzakonisht i lumtur. Mund ta përsëris këtë 100 herë, jam shumë i lumtur”.

“Ky është trofeu që më mungonte. Faleminderit të gjithëve, lojtarëve, stafit dhe ty përsëri trajner. E gjithë besimi që e kishe sinqerisht më ka prekur. Ne e merituam këtë. Jemi tani në histori të Portugalisë. Jemi ekipi i parë që e arrin këtë”

Loading...