Joao Felix e ka bërë të qartë gjatë prezantimit të tij si lojtar i Atletico Madridit të hënën se ka kaluar në La Liga për t’u mbajtur në mend si Felix dhe jo si Cristiano Ronaldo.

Atletico Madridi e theku rekordin e klubit duke i paguar plot 126 milionë euro për të. Talenti portugez u prezantuar sot në kryeqytetin spanjoll dhe do ta bartë fanellën me numrin shtatë, që deri këtë verë i takonte Antoine Griezmannit, transmeton Gazeta Express.

Joao Felix gjatë prezantimit si lojtar i Atletico Madridit
Por, pasi sulmuesi francez e njoftoi klubin muaj më parë se dëshiron të largohet në verë, Atletico ia dha numrin 7 blerjes më të shtrenjtë në histori të klubit, Felixit.

19-vjeçari Felix ka nënshkruar kontratë shtatëvjeçare me Atleticon dhe ndihet i lumtur që do të luajë në kryeqytetin spanjoll.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij projekti dhe historisë së këtij klubi. Jam këtu për t’i ndihmuar klubit sa më shumë që të jetë e mundshme. Bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë”, tha Felix.

I pyetur rreth Ronaldos, Felix tha: “Siç e dini ai është lojtar i madh, momentalisht më i miri në botë dhe mbase më i miri i të gjitha kohëve. Ai më ka folur shumë për Madridin, i cili i ka pëlqyer shumë. Por unë jam këtu për ta shkruar tregimin tim, për t’u mbajtur në mend si Joao Felix. Ai është Cristiano ndërsa unë jam Joao Felix”.

Felix bëhet blerja më e shtrenjtë në histori të Atleticos dhe lojtari i katërt më i shtrenjtë në botë pas Neymarit, Kylian Mbappes dhe Philippe Coutinhos