Ursula von der Leyen, e nominuar për presidente të Komisionit Evropian, tha se shpreson se Mbretëria e Bashkuar i braktis planet e saj për dalje nga Bashkimi Evropian, apo Brexit.

“Vazhdoj të shpresoj se ju do të mbeteni”, tha von der Leyen.

Ajo foli të mërkurën në një seancë të Paralmentit Evropian, përpara votimit të saj javën e ardhshme.

Von der Leyen po ashtu tha se marrëveshja për Brexit, e negociuar nga kryeministrja në largim e Britanisë, Theresa May, dhe udhëheqësit e BE-së, është “e mirë”.

Kjo marrëveshje, megjithatë, është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik – gjë që ka çuar kryeministren May të tërhiqet.

Von der Leyen u zotua se do ta bëjë BE-në më ambicioze për ndryshimet klimatike dhe se do të përpiqet për më shumë balancë gjinore brenda bllokut.

Von der Leyen, e cila aktualisht është ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, do të marrë detyrën nga Jean-Claude Juncker, më 1 nëntor, nëse miratohet nga Parlamenti Evropian.

Nëse kjo ndodh, ajo do të bëhet gruaja e parë në këtë post të BE-së.

Loading...
Global