Një tokë në Fushë Kosovë është bërë mollë sherri në mes të dy familjeve. Të dy familjet pretendojnë se kanë të drejtë në këtë tokë të cilën e kanë blerë nga një serb.

Madje ky i fundit është sulmuar fizikisht nga njëri prej personave që pretendon se toka i takon atij.

Policia e ka arrestuar personin në fjalë ndërsa të enjten prapë ka pasur konflikt në mes familjeve Sylkaj dhe Bekteshi.

Selim Sylkaj vitin e kaluar është kthyer nga Suedia, vendin në të cilin po jetonte me vjet, për të investuar në Kosovë. I njëjti është interesuar edhe për blerjen e një toke në Fushë Kosovë, për të filluar punimet. Sylkaj tregon për KosovaPress se ka bërë marrëveshje për blerjen e kësaj toke, me serbin Millosh Zhivkoviq, tokë kjo në të cilën aktualisht është duke punuar dikush tjetër.

Ai zotohet që ka dokumente që e vërtetojnë se kjo tokë prej dy hektarësh është e tij, dhe se e ka fletën poseduese. Serbi Zhivkoviq thotë se i kishte thënë se e kishte fituar kontestin gjyqësor, dhe se kjo tokë është e tij. Për çka pala tjetër, sipas tij, e kishte rrahur serbin, të shtunën e kaluar.

Për rastin e rrahjes ka raportuar edhe Policia e Kosovës. Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet: “Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një prone ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull-serb shtetas i Serbisë me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Njësiti policor gjatë kontrollit në trupin e të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar një armë me një karikator dhe 13 fishekë. Lidhur me rastin janë intervistuar edhe katër persona meshkuj K-Shqiptar. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Të enjten në pronën për të cilën po thuhet se është e kontestuar ka qëndruar edhe Policia e Kosovës, për parandalimin e ndonjë incidenti në mes të këtyre dy palëve.