Në Tiranë është arrestuar një shtetas rus, luftëtar në grupet terroriste islamike. Ai kishte hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës, në Gjirokastër, me një grup azil-kërkuesish që vinte nga Greqia.

Policia e Shtetit arrestoi të premten (12/07/2019), në Tiranë, një shtetas rus, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatat terroriste, që do të ekstradohet në Rusi. Në një deklaratë të Policisë së Shtetit, bëhet me dije se shtetasi rus, 34 vjeç , i identifikuar me inicialet R.M., akuzohet për pjesëmarrje si luftëtar në grupet militante të Shtetit Islamik kundër Forcave Qeveritare Siriane.

Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, shtetasi rus R. M., i lindur dhe rezident në qytetin industrial Norilsk në Rusi – qyteti në botë më pranë Rrehtit Polar të Artikut – kishte hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës, në Gjirokastër, me një grup azil-kërkuesish që vinte nga Greqia.

“Shtetasi rus, 34-vjecar, është larguar nga Rusia për në Siri në qershor të vitit 2013 dhe i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri,” vë në dukje deklarata e Policisë së Shtetit.

Bashkëpunim i Drejtorisë së Anti-Terrorit me EUROPOL-in