Deri në fund të muajit bujqit do të mund të shfrytëzojnë naftë të subvencionuar. Marrëveshjen për “naftë të gjelbër” sot e nënshkruan drejtori i Agjencisë Pagesore Nikollçe Babovski dhe drejtori i SHA “Makpetrol” – shitje me pakicë Zoran Donevski.

Për maksimum dy muaj “Makpetrol”, i cili e fitoi tenderin, duhet t’i porositë të gjitha kartelat e personalizuara për “naftë të gjelbër”, ndërsa shpërndarja do të shkojë në faza, sipas njësive rajonale. Është paraparë që 55.000 bujq të marrin kartela të personalizuara dhe me to, në pompat e benzinës të “Makpetrolit”, 125 përgjatë vendit, të blenë vetëm “EURODIZEL” për mekanizëm bujqësor. Kartelat do të jenë me vlerë të ndryshme, prej 500 deri në 100.000 denarë, varësisht nga sasia e hapësirës së paraqitur dhe llojit të kulturës.

“Se kush sa para do të ketë në kartelë do të varet nga madhësia e hapësirave dhe lloji i kulturave bujqësore, dhe ato me parcela më të vogla nga 0,2 hektarë. Qëllimi i kësaj mase e cila ka të bëjë me vreshtarinë, pemëtarinë, agrokulturën dhe kopshtarinë, është që t’i inkurajojmë prodhuesit që ta rrisin prodhimtarinë, por edhe që t’u ndihmojmë që kjo të jetë më lirë, me shpenzime më të vogla”, theksoi Babovski pas nënshkrimit të Marrëveshjes.

Donevski potencoi se nafta e “Makpetrolit” është cilësore dhe se nuk duhet t’i dëmtojë makinat bujqësore, por përkundrazi, në mënyrë drastike do t’i ulë shpenzimet e prodhimit, ndërsa bujqit do të mund të blenë naftë edhe në pompat e benzinës në mjediset rurale.

“Edhe pse kemi maksimum 60 ditë për porositje të kartelave deri te Agjencia Pagesore, vlerësoj se do t’i porosisim për një kohë shumë më të shkurtër sepse jemi të gatshëm që menjëherë të fillojmë me shtypjen e tyre pasi që t’i marrim të dhënat për bujqit”, theksoi Donevski.

Sipas ministrit të Bujqësisë Trajan Dimovski i cili mori pjesë në nënshkrimin, realizohet premtimi se në dy vitet e para nga ardhja e këtij pushteti bujqit do të marrin naftë të subvencionuar.

“Me këtë masë, 200.000 milionë denarë kthehen te bujqit. Kjo do të nënkuptojë mbështetje të madhe për ta, do t’iu ulë shpenzimet e prodhimit, do t’u rrisë të ardhurat dhe do t’u bëjë prodhimtarinë më ekonomike”, tha Dimkovski.

Përkujtoi edhe se deri më tani me këtë masë subvencionohen 30 për qind të shpenzimeve për blerje të naftës, por kjo përqindje mund të rritet deri në 50 për qind.

Analizat tregojnë se më së shumti naftë ose 150 litra për një hektarë shpenzohet për plantacionet e frutave, 120 litra për rrush deh kultura kopshtare,ndërsa 60 litra për prodhimtari nga fusha.

Drejtori Babovski edhe një herë apeloi që gjatë mbushjes së parë të naftës me kartelë, bujqit kanë për obligim që ta kontrollojnë gjendjen e kartelës dhe ta zbatojnë me vlerën e mbështetjes së miratuar financiare të konfirmuar në vendimin. Kontrollimi bëhet në arkën e pompave të benzinës së “Makpetrolit”.