Sipas të përditshmes katalonase, Sport, Paris Saint-Germaini nuk është i gatshëm ta pranojë ndonjë ofertë ku përfshihet shkëmbimi me lojtarë për Neymarin. Kjo gjë e pamundëson kthimin e brazilianit në Barcelonë.

Sport raporton se Paris Saint-Germaini ia ka vendosur një çmim të ri Neymarit. Kampioni francez është i gatshëm t’i pranojë 180 milionë euro për futbollistin, mirëpo nuk do të pranojnë oferta me më pak para dhe me lojtarë të tjerë të përfshirë në marrëveshje,

Ky qëndrim i PSG-së bën që Barcelona të mos ta ketë të mundur ta kthejë Neymarin në “Camp Nou” gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që nuk mund ta përballojë financiarisht një transferim të tillë.

Sport sqaron se PSG-ja është duke pritur që presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ta bëjë lëvizjen e tij, mirëpo një gjë e tillë nuk ka shumë gjasa të ndodhë, përkundër që çmimi i brazilianit ka rënë nga 300 në 180 milionë euro këtë verë.

Barcelona nuk mund ta përballojë një shumë të tillë dhe deri më tani ka ofruar vetëm 100 milionë euro dhe dy lojtarë të ekipit të parë, ofertë kjo që PSG-ja s’është e gatshme as ta shqyrtojë.

Kontakti mes Barcelonës dhe PSG-së gjatë javëve të fundit ka shërbyer vetëm për ta konfirmuar marrëdhënien e keqe mes dy klubeve. Rivaliteti mes tyre është i dyanshëm, por PSG-ja e ka të gjithë fuqinë në këtë rast dhe ata ia kanë bërë të qartë përfaqësuesve të Neymarit dhe drejtuesve të Barcelonës se nuk duan të negociojnë.

Në anën tjetër, Barcelona nuk është e gatshme ta përjashtojë mundësinë e kthimit të Neymarit në Camp Nou, përkundër që një transferim i tillë do të ishte i komplikuar.