Brukseli propozon një kusht të ri për pranimin e Serbisë në BE – njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, shkruan “Veçernje novosti”.

Këto kërkesa janë gjithnjë e më të forta në disa qarqe në Bruksel, megjithëse Serbia gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ligjërisht, politikisht dhe moralisht, bën gjithçka për të dënuar këtë dhe të gjitha krimet e tjera të luftës.

“Novosti” shkruan se parlamenti serb miratoi një rezolutë mbi dënimin e krimeve në Srebrenicë në mars 2010, ndërsa ish-presidenti Boris Tadiq publikisht kërkoi falje për “një prej kapitujve më tragjikë të luftës civile jugosllave të viteve 1990” dhe më 11 korrik 2015.

Megjithatë, komisionari evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, paralajmëroi të hënën se “nuk ka vend të BE-së për ata që mohojnë gjenocidin dhe të gjitha aktgjykimet e tjera të gjykatave ndërkombëtare”.

Kërkesa që Serbia të njohë gjenocidin në Potoçare është përfshirë në raportin e fundit të Parlamentit Evropian mbi Serbinë dhe është e qartë se kjo temë është e përshtatshme për politikën e “lëvizjes së objektivave”, transmeton KosovaPress.

Sekretarja e Përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, Suzana Grubjeshiq, beson se qëndrimi zyrtar i Serbisë ndaj gjenocidit në Srebrenicë nuk është kontestues dhe se kjo çështje nuk duhet të përdoret si një tjetër frenim në rrugën drejt BE-së.

“Nuk ka as heshtje, as mohim të fakteve të vërtetuara rreth Potoçare. Asnjë nga zyrtarët tanë nuk mohon se ka ndodhur krimi”, tha ajo.

Loading...