Thyen heshtjen më në fund kryedemokrati Lulzim Basha.

Pas protestave të zakonshme, Basha vendos të përparojë në lëvizjen e tij politike, duke u takuar kokë më kokë me presidentin Ilir Meta, propozuesin e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme.

Për rreth 40 minuta Basha ka biseduar me Metën, lidhur me ngërçin politik dhe zgjidhjet e mundshme.

Disa minuta pas përfundimit të takimit me të dhe pas takimit me aleatët, Basha dha disa detaje lidhur me bisedën me presidentin.

“Takimi i sotëm lidhet me 13 tetorin. Vlerësoj maksimalisht qëndrimin e presidentit. Opozita gati për çdo hap për të drejtën e votës.”, theksoi Basha, duke shtuar se  më 30 qershor u dhunua e drejta e votës.

“Kemi diskutuar për emergjencën ekonomike që ka vendi”, u shpreh më tej kryedemokrati.

Pas votimeve të mbajtura nga kryeministri Edi Rama, pritet që në 13 tetor vendi të zhvillojë sërish zgjedhje vendore sipas dekretit të presidentit Ilir Meta.

Pas zgjidhjes së propozuar nga Meta për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme në të njëjtën ditë me ato të zgjedhjeve vendore, Rama dhe Basha nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim për çështjen. Kryedemokrati së bashku me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin vazhdojnë protestat, ndërsa sot ishte lëvizja e parë e kryedemokratit./Hashtag.al