Konflikti mes ligës spanjolle dhe organeve qeverisëse ka eskaluar dhe tani, kur po hyjmë në gusht, ende nuk është e qartë se kur do të fillojë saktësisht sezoni 2019/20 i La Ligës.

Barcelona, Real Madridi dhe pjesa tjetër e La Ligës kanë mbetur në mes të një zënke për orarin e ndeshjeve, pasi që liga spanjolle nuk po pajtohet me vendimet e Federatës së Futbollit të Spanjës,

Kampionia Barcelona ishte e supozuar ta vizitojë Athletic Bilbaon të premten, më 16 gusht, për ta nisur sezonin e ri, mirëpo Federata e Futbollit e Spanjës e ka sfiduar orarin e vendosur nga La Liga dhe ka insistuar që ndeshja të zhvillohet të shtunën, më 17 gusht, transmeton Gazeta Express.

Por, kjo nuk është e vetmja ndeshje së cilës Federata ia ka ndryshuar orarin. Ata k anë insistuar që të gjitha ndeshjet e planifikuara të zhvillohen të premten dhe të hënën të mbahen ose të shtunën, ose të dielën për t’iu përshtatur më shumë tifozëve.

“Tifozët e futbollit spanjoll nuk duan ndeshje në këto ditë, veçanërisht të hënën. Është shumë e vështirë për tifozët t’i shijojnë ato ndeshje”, thuhet në reagimin e Federatës spanjolle.

Luis Rubiales, presidenti i organit qeverisës, pastaj e theksoi këtë argument edhe në llogarinë e tij në Twitter, duke shpërndarë fotografi të tifozëve që po e protestonin orarin e La Ligës. Këto foto i përcolli me mbishkrimin: “NUK DO TË KETË MË NDESHJE TË HËNËVE”.

Megjithatë, La Liga argumenton se ky qëndrim ka një ndikim negativ në aspektin financiar, për shkak të shitjes të së drejtave televizive.

“Me këto veprime ilegale, zyrtarët e Federatës janë duke krijuar konfuzion në hapësirën televizive kombëtare dhe ndërkombëtare, që na i sjell mbi dy miliardë euro çdo vit për La Ligën”, tha presidenti i ligës, Javier Tebas.

“Këta zyrtarë nuk e kanë asnjë ide për pasojat e veprimeve të tyre të papërgjegjshme. Kjo nuk ka asnjë qëllim, asgjë nuk do të ndryshojë, kjo vetëm shkakton konfuzion, që është e vetmja gjë që ata dinë ta bëjnë”.

Konflikti i vazhdueshëm mes autoriteteve kryesore të futbollit në Spanjë e vështirëson situatën për La Ligës. Seanca gjyqësore për këtë gjë është caktuar më 7 gusht, vetëm 11 ditë para se Barcelona supozohej ta fillonte sezonin.

La Liga argumenton se është i vetmi organ që ka të drejta mbi orarin dhe organizimin e ndeshjeve të ligave të futbollit dhe e quan veprimin e Federatës sulm.

Edhe sezonin e kaluar, këto dy autoritete kishin pasur mosmarrëveshje. La Liga dëshironte që disa ndeshje të sezonit të zhvilloheshin në Amerikën e Veriut dhe Kanada për t’i rritur përfitimet, ndërsa Federata e kundërshtoi fuqishëm këtë gjë, duke argumentuar se tifozët duan ta shohin Barcelona në “Camp Nou” jo në Miami e njëjtë edhe për klubet e tjera