Gareth Bale nuk sheh rrugëdalje nga Real Madridi tani kur kalimi në Kinë i dështoi papritmas dhe tash, sulmuesi uellsian ka ardhur në përfundim se presidenti i klubit, Florentino Perez, nuk e çan kokën aspak që trajneri Zinedine Zidane nuk dëshiron ta ketë atë në ekipin e parë.

Bale ishte buzë kalimin te Jiangsu Suning, pas një marrëveshjeje nga e cila ai do të fitonte pagë javore në vlerë 1.2 milionë euro. Por tri ditë para se afati kalimtar veror të mbyllet në Superligën e Kinës, Perez vendosi ta anulojë marrëveshjen për kalimin e Bale në Kinë,

Kjo e ka bërë 30-vjeçarin të zemërohet me presidentin Perez dhe duke qenë se ai nuk e ka ndërmend t’i bashkohet ndonjë klubi tjetër në Evropë – qoftë si i huazuar apo përherë – Bale përballet me një të ardhme e ftohtë në Madrid.

Bale beson se shpresat që ai të jetë pjesë e ekipit të parë janë tejet të vogla, duke i pasur në mendje komentet e fundit publike të Zidane se ai dëshiron që uellsiani të largohet nga klubi dhe për shkak të marrëdhënieve të prishura me të.

Jiangsu e bleu të hënën sulmuesin kroat Ivan Santini nga Anderlecht, duke e çuar në pesë numrin e lojtarëve të huaj në skuadër. Rregullat e Superligës së Kinës i lejojnë klubet t’i kenë katër lojtarë të lindur jashtë vendit në skuadrat e tyre dhe Jiangsu pritet ta largojë nga klubi mbrojtësin italian Gabriel Paletta në ditët në vazhdim.