Departamenti i arsimit pranë Aleancës për shqiptarët (ASH), vlerëson se propozim ligji i ri për arsim fillor është një rikthim i ligjit që me pompozitet të lartë u propozua para një viti dhe i cili pas kritikave të shumta u tërhoq.

“Ky ligj është një kopje e ligjit në fuqi me ca ndryshime të vogla kozmetike. Në aspektin funksional suprimon pushtetin komunal nga ai qendror dhe realizon segregacion gjuhësor dhe etnik në sferën e arsimit. Në aspektin strukturor edhe më tepër e kufizon arsimtarin në kreativitetin e tij duke e ngarkuar edhe më tepër me administratë, e duke mos i lejuar hapësirë për të hulumtuar metoda, teknika dhe forma bashkëkohore për mësimdhënie interaktive. Nuk realizon caktimin e kritereve të qarta për ngritjen dhe gradimin profesional të arsimtarit. Në aspektin institucional kemi një gërshetim kompetencash që bëjnë zgjidhje të pakuptimta mes organeve dhe hierarkisë si në shtrirjen horizontale ashtu edhe në atë vertikale”, vlerësojnë nga ASH-ja.

Nga kjo parti theksojnë se suprimimi i pushtetit komunal dhe segregacionin etnik dhe gjuhësor të vetmen të drejtë që kishte kryetari i komunës për të zgjedhur drejtor, një nga dy kandidat të propozuar nga këshilli drejtues i shkollës, me propozim ligjin e ri duhet të zgjedh veç drejtorin e zgjedhur nga këshilli drejtues i shkollës (neni 104).

“Sa i përket segregacionit etnik dhe gjuhësor, arsimtari shqiptar nuk mund të krijojë marrëdhënie pune pa mos e dhënë provimin për njohje të gjuhës maqedonase, pranë qendrës shtetërore për provime edhe pse proklamohet se gjuha shqipe është zyrtare. Kjo nuk vlen për arsimtarin maqedonas, për njohje të gjuhës shqipe, që duhet të ligjëroj lëndën e gjuhës maqedonase në paralelet shqiptare (neni 81. al.3). Me gojën plot theksohej se duhen reforma, arsimtari përsëri është i ngarkuar me administratë dhe i stresuar nga politika. Ligji i ri vazhdon që arsimtarin ta ngarkoj me punë administrative dhe me dëshirat e komisioneve të formuar nga politika, nga të cilët varet gradimi dhe zhvillimi profesional i tij”, thuhet midis tjerash në reagimin e ASH-së.

Sipas ASH-së, nuk mund të kuptohet që në aspektin institucional një ligj të konstituohet në atë formë që një organ të kryej zgjedhjen ndërsa tjetri organ që nuk është pjesëmarrës dhe nuk mund të ndikojë në zgjedhje, të vërtetoj zgjedhjen nga organi tjetër, apo siç është rajonizimi ku nga njëra anë flasim për rajonizim ndërsa në alinenë tjetër mundësojmë që mos të përfillet (neni 59).

“Më këtë propozim ligj me “procesin inkluziv” shkohet me degradimin edhe të shtresës më të ndjeshme të shoqërisë, fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi në vend që të shkohet me kombinim që disa orë të realizohen në paralelet e rregullta për socializim dhe pjesën tjetër të procesit mësimor në paralele të veçanta, propozohet mbyllja e këtyre paraleleve prej vitit 2022. Paramendoni paralele me 30 nxënës ku tre prej tyre janë me nevoja të veçanta (neni 176). Departamenti i arsimit pranë ”Aleancës për Shqiptarët” propozon që ky ligj të tërhiqet, të formohet grup punues nga të gjithë partitë politike dhe ekspert nga universitetit që të përgatitet një ligj bazuar në teorinë e organizimit të sistemeve dhe praktikave bashkëkohore”, theksojnë nga ASH-ja.

Loading...