Shkodran Mustafi nuk dëshiron të largohet nga Arsenali gjatë kësaj vere. Qendërmbrojtësi shqiptar dëshiron të luftojë për ta zënë një vend titullari tek Gunners, të cilët megjithatë po planifikojnë ta shesin atë në ditët apo javët në vazhdim

Arsenali momentalisht është duke menduar se ku ta sistemojë Shkodran Mustafin gjatë kësaj vere, .

Mirëpo, mediat angleze shkruajnë se qendërmbrojtësi shqiptar nuk dëshiron të largohet nga Londra.

Madje, sipas të përditshmes britanike “Metro”, futbollisti shqiptar nga Maqedonia e ka bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë në “Emirates Stadium” dhe të luftojë për një vend titullari.

Kampioni i botës me Gjermaninë ka dështuar ta arsyetojë shumën prej 40 milionë eurosh të shpenzuara për të në vitin 2016 nga Valencia.

Për këtë, “Gunners” po mendojnë ta shesin atë pasi trajneri Unai Emery nuk llogarit më në shërbimet e tij.

Interesim për 27 vjeçarin ka shfaqur Monaco në Francë, ndërsa babai dhe njëherësh menaxheri i futbollistit thotë se deri tash nuk ka arritur asnjë ofertë për ish-futbollistin e Evertonit, Sampdorias dhe Valencias.

Mustafi ka kontratë me Topçinjtë deri në vitin 2021 dhe së fundmi ka thënë se dëshiron ta respektojë atë.

Mirëpo, tifozët e klubit londinez nuk e duan më Shkodranin në skuadrën e tyre të zemrës për shkak të gabimeve të tij sezonin e kaluar dhe sa herë që ai po luan, ata po e vërshëllejnë nga tribunat, por nuk mungojnë as kritikat dhe fyerjet për të në rrjetet sociale.