Arsenali e ka nisur një procedurë disiplinore ndaj kapitenit Laurent Koscielnyt, pasi francezi refuzoi të udhëtojë me skuadrën e “Topçinjve” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për turneun parasezonal.

Klubi londinez do të udhëtojë në SHBA sot, mirëpo me skuadrën nuk do të jetë Laurent Koscielny. Ai e lajmëroi klubin sot në mëngjes se do të stërvitet sot, mirëpo nuk do të shkojë me ta në aeroport për në SHBA, transmeton Gazeta Express.

33-vjeçari e dëshiron me ngulm kthimin në Francë këtë verë dhe është duke tentuar ta detyrojë klubin londinez t’ia plotësojë këtë dëshirë, Bordeaux raportohet se është njëri ndër klubet që ka shprehur më së shumti interesin për mbrojtësin veteran.

Drejtuesit e Arsenalit janë të vetëdijshëm për këtë dëshirë të Koscielnyt për t’u larguar, mirëpo kërkesa e francezit për t’u larguar si transferim i lirë ende pa i përfunduar kontrata vlerësohet e paarsyeshme nga klubi.

Ata e kanë theksuar se qendërmbrojtësi e ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Arsenalit, me opsionin për t’ia zgjatur kontratën edhe për një vit tjetër, dhe thonë se do ta respektojnë këtë kontratë dhe e kërkojnë të njëjtën gjë edhe nga futbollisti.

Nëse një ofertë vjen për Koscielnyn këtë verë, atëherë Arsenali do ta vlerësojë atë, mirëpo klubi bën të ditur se ende nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete për francezin.

Ky qëndrim i klubit e ka zemëruar Koscielnyn, i cili beson se, pas nëntë vjetëve në Arsenal, e meriton të largohet sido që të ketë qejf.

Megjithatë, Arsenali mendon ndryshe dhe tani kanë hapur edhe procedurë disiplinore ndaj futbollistit.

Loading...