Pasi Brazili ia pamundësoi pjesëmarrjen në finale të Kupës së Amerikës, Lionel Messi do të synojë ta fitojë të paktën medaljen e bronztë në përballjen me Kilin, që është kampioni në fuqi i Kupës së Amerikës.

Argjentina dhe Kili do ta fillojnë sonte në orën 21:00 luftën për vendin e tretë në Kupën e Amerikës, në stadiumin “Arena Corinthias” në Sao Paulo të Brazilit, shkruan Gazeta Express.

Kampioni në fuqi i këtij turneu, Kili, merr pjesë në këtë përballje për vend të tretë, pasi që pësoi disfatë tronditëse në gjysmëfinalen e mesjavës, kundër Perusë, me rezultat 3:0.

Në anën tjetër, Argjentina pësoi disfatë me rezultat 2:0 kundër Brazilit, përkundër që e dominoi ndeshjen. Pas përfundimit të ndeshjes filluan hetimet ndaj gjyqtarëve, pasi që Argjentina beson se ata e favorizuan Brazilin me vendimet për të mos ia akorduar dy penallti bardhekaltërve.

Lojtarët më të mirë të këtyre dy skuadrave gjatë këtij turneu, sipas vlerësimeve të SofaScore, kanë qenë Lionel Messi për Argjentinën dhe Alexis Sanchez për Kilin. Që të dy do të jenë titullarë sonte.