Alternativa i njofton aktivistët dhe opinionin e gjerë se sot, më 11 korrik 2019, në orët e hershme të mëngjesit, ndërroi jetë anëtari i Kryesisë Qendrore i Alternativës dhe veprimtari i palodhshëm Shaban Zendeli – drejtor i deritanishëm i NP Hekurudhat e Maqedonisë – Transport.
Vdekja e tij, që na ka goditur të gjithëve, është një humbje e madhe për neve si parti, por edhe për mbarë kombin shqiptar në Maqedoni, sepse kështu kemi humbur një atdhetar të devotshëm, një idealist të përkushtuar dhe një njeri vetëmohues e sakrifikues.
Do të mbetet në kujtimet tona si njeri i betejave për sistemin e vlerave që bashkërisht i projektuam dhe luftuam për to pa u kursyer.
Duke e ngushëlluar familjen, u shprehim ngushëllime edhe të gjithë aktivistëve të Alternativës, që te, tashmë i ndjeri, Shaban Zendeli, gjenin njeriun e urtë dhe të guximshëm për t’u mbështetur.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot pas faljes së ikindisë në f. Orizare të Kumanovës.

Loading...