Koreja e Veriut akuzoi Shtetet e Bashkuara se “janë të prirura për akte armiqësore”, pavarësisht marrëveshjes së ditëve të fundit për të rinisur bisedimet për çështjet bërthamore.

Delegacioni i Penianit në Kombet e Bashkuara përmes një deklarate tha se SHBA-ja është “e fiksuar pas sanksioneve”.

Delegacioni akuzoi Uashingtonin për përpjekje për të “dëmtuar atmosferën paqësore” në Gadishullin Korean.

Delegacioni tha se ishte duke iu përgjigjur një pretendimi amerikan se kishte shkelur një marrëveshje mbi importet e rafinuara të naftës që ishte vendosur në vitin 2017.

Po ashtu, po i përgjigjej një letre të përbashkët të dërguar nga SHBA, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe në të gjitha vendet anëtare të OKB-së që kërkojnë sanksione të mëtejshme mbi Korenë e Veriut.

“Ajo që nuk mund të anashkalohet është fakti se kjo ‘lojë’ me letrën e përbashkët ndodhi në të njëjtën ditë kur Presidenti Trump propozoi një takim të nivelit të lartë”, thuhet në deklaratë.

“Letra tregon realitetin e Shteteve të Bashkuara, që praktikisht janë gjithnjë e më shumë të prirura për veprime armiqësore kundër Koresë së Veriut. Të gjitha vendet anëtare të OKB-së do të duhet të mbajnë vigjilencën kundër përpjekjeve të qëllimshme nga Shtetet e Bashkuara për të minuar atmosferën paqësore që është krijuar në gadishullin Korean”, thekson deklarata.

Peniani shtoi se ishte “mjaft qesharake” për SHBA-të që të shihnin sanksionet si “ilaç për të gjitha problemet”.

SHBA nuk ka reaguar ende ndaj deklaratës së Koresë së Veriut.