Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka deklaruar se është e paimagjinueshme arritja e ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa involvimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Veseli ka thënë se takimi i Berlinit që është mbajtur dhe ai i Parisit që pritet të mbahet janë shumë pozitive dhe tregojnë për një impenjim të shtuar të shteteve të BE-së për Kosovën.

“Për të ardhmen e vendit do të vendoset në Kosovë nga institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe qytetarët. Takime shumë të mira, shumë pozitive, qoftë takimi me kryeministren Merkel, qoftë takimi i samitit të Berlinit apo tani takimi i samitit të Parisit. Ajo çka është kryesore kemi një impenjim të shtuar të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Bashkimit Evropian për Kosovën. Ndërsa, për marrëveshjen Kosovë-Serbi është e paimagjinueshme arritja e ndonjë marrëveshje pa involvimin shumë serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli për KP.

Kreu i Kuvendit ka folur edhe për atë se çka pret nga samiti i Parisit që do të mbahet me 1 korrik.

“Do të jetë pozitiv, jam shumë i sigurt për faktin se Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca, po involvohen shumë seriozisht në procesin e vendimmarrjes për Ballkanin Perëndimor, por jo diçka të jashtëzakonshme, procesi është në vazhdim”, deklaroi ai.

Ndërkaq, i pyetur se a duhet të hiqet taksa e vendosur nga Kosova për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Veseli tha se kjo taksë assesi nuk duhet të përdoret kundër Kosovës.

Ai nuk ka dhënë një përgjigje definitive se a duhet të hiqet kjo taksë, por që u shpreh se për të rëndësi ka që Kosova të del më e fortë nga çdo vendimmarrje që merret për taksën.

Veseli ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, që sipas tij është duke u abuzuar me dialogun nga shteti serb.

Ai tha se Kosova duhet të tregojë gatishmërinë për dialog.

I pyetur se a duhet Kosova që të vendos kushte për marrëveshjen me Serbinë, siç është çështja e të pagjeturve, Veseli tha se Serbia duhet të përgjigjet për krimet dhe gjenocidin që e ka kryer në Kosovë. /kp/

Loading...