Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, më 10 qershor 2019 e organizoi Edicionin VI me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” që u mbajt në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës. Manifestimi përkoi me 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shënimin e tij morën pjesë personalitete të njohura nga lëmi i arsimit, i shkencës, i kulturës si dhe përfaqësues të fesë. Në këtë veprimtari kulturore u tha se qyteti i Tetovës, me ngjarje të këtij niveli u përafrohet qendrave të tjera për kultivimin e artit dhe të kulturës së mirëfilltë. Kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, në fjalën e tij para auditorit theksoi se institucionet tona kulturore, arsimore e shkencore, së bashku me shoqatat, organizatat e ndryshme jofitimprurëse, gjithnjë e më shumë e dëshmojnë se janë të gatshme të japin kontributin e tyre për zhvillimin e proceseve kulturore, për kultivimin e traditës, për realizimin e veprimtarive shkencore dhe të manifestimeve letrare e artistike. “Në këtë drejtim, besojmë se edhe Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” e ka kryer detyrën e vet. Duke iu përmbajtur parimeve bazë të themelimit të saj, vazhdimisht është angazhuar që të sjellë në vëmendjen e opinionit publik ngjarje që e pasqyrojnë të kaluarën tonë të lavdishme por edhe të dhimbshme, që e bën këtë popull të ndjehet krenarë, të përkujtojë figurat historike, të botojë vepra me karakter shkencor, si dhe të organizojë veprimtari letrare dhe artistike. Sot jemi tubuar këtu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës, që bashkërisht ta organizojmë Edicionin VI me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, që përkon me 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”- deklaroi Selam Sulejmani.

Ai e shpalosi edhe programin e plotë të kësaj ngjarjeje me rëndësi për qytetin e Tetovës dhe jo vetëm, me ç’rast veçoi përkujtimin e veprimtarëve, të strategëve dhe të kolosëve tetovarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në ngjarjen historike të Lidhjes së Prizrenit, të cilën historia shqiptare e konsideron si të parën organizatë patriotike që mori përsipër ta zbatonte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare – çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit kombëtar.

Në Edicionin VI të këtij manifestimi mori pjesë edhe Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës të RMV-së, Valmir Aziri, i cili në fjalën e tij para pjesëmarrësve tha se ekzistojnë një sërë ngjarjesh që janë të ndërlidhura e që mbartin në vete peshën e ndërrimit të epokave, duke krijuar hapësirë për hapjen e shtigjeve të reja nëpër të cilat do të ecin popujt dhe shtetet. “141-vjetori i Lidhjes së Prizrenit ka një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet. Veprimtaria intelektuale dhe atdhetare e tetovarëve të spikatur ishte një levë shumë e rëndësishme e kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Sheh Mustafa i Tetovës, i cili ishte nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit si dhe një duzinë tetovarësh të tjerë, me veprat e tyre lanë gjurmë në historikun e lavdishëm të qytetit dhe më gjerë. Më gëzon jashtëzakonisht fakti që e kemi një shoqatë për kulturë dhe art si “Tradita”, e cila me punën e saj reflekton kulturën dhe veprimtarinë e shqiptarëve, e në veçanti të tetovarëve, duke përfshirë sidomos ata intelektualët që kontribuuan në fusha të ndryshme. Është tejet e rëndësishme që gjeneratat e reja të kenë njohuri të duhura për veprimtarinë atdhetare dhe shkencore të këtyre personaliteteve të lartpërmendur në mënyrë që të gjejnë motiv shtesë për të vazhduar punën e tyre. Duke mësuar për ta, njëherazi do t’i nderojnë të njëjtit” – tha në fjalën e tij Valmir Aziri.
Referatin përkujtimor për veprimtarët tetovarë, pjesëmarrës në ngjarjen historike të Lidhjes së Prizrenit, e paraqiti Prof. Dr. Zeqirja Idrizi. Ai vuri në dukje se sapo u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit dhe u paralajmërua mbajtja e Kongresit të Berlinit, doli në shesh rreziku që u kanosej tokave shqiptare. “Këto veprimtari ndikuan që të mblidhet Kuvendi i përgjithshëm shqiptar në Prizren, më 10 qershor 1878.
Fryti i këtij kuvendi ishte themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një organizatë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare, me organet e saja qendrore, me degë në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, veç qëllimit për të mbrojtur tërësinë e Shqipërisë, kërkoi edhe autonominë e vendit, duke mbledhur katër vilajetet, në një vilajet të vetëm, me gjuhën shqipe, gjuhë të qeverisë dhe përshpejtimin e hapave drejt pavarësisë. Nismën për thirrjen e Kuvendit të përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit, në të cilin nuk mungonte edhe prezenca e tetovarëve, në krye me Sheh Mustafë Tetovën dhe e delegatëve të tjerë, si: Haxhi Sadik Tetova, Riza Fuati, Hasan Pashë Deralla, Esat Pashë Tetova dhe Mehmet Efendiu të cilët u rreshtuan përkrahë delegatëve të tjerë më 10 qershor 1878”, bëri të ditur Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.
Në këtë edicion, Shoqata “Tradita” e ndau edhe Çmimin kombëtar “Ali Vishko” për laureatin e vitit 2019. “Në përputhje me statutin e Shoqatës “Tradita”, ky çmim u ndahet personaliteteve shqiptare nga vendi dhe nga rajoni e më gjerë, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. Pas shpalljes së konkursit, dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, komisioni përkatës i kryesuar nga profesor Xhelal Zejneli, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, për vitin 2019 t’i ndahet veprimtarit të mirënjohur, profesor Xhemaledin Salihut nga Kosova Lindore, me motivacionin: për veprimtari jetësore dhe për arritje të veçanta në fushën e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare” – theksoi kryetari i Shoqatës “Tradita” – Selam Sulejmani.

Ndërkaq, biografinë dhe të dhëna të caktuara për veprimtarinë kulturore dhe atdhetare të Xhemaledin Salihut, laureatit të sivjetmë të çmimit “Ali Vishko” e lexoi kryetari i Komisionit për ndarjen e këtij çmimi – profesor Xhelal Zejneli. “Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, ka vendosur që laureat i sivjetmë i Çmimit “Ali Vishko” të jetë veprimtari dhe atdhetari nga Presheva Xhemaledin Salihu. Që kur e themeloi në Preshevë në vitin 2010 Shoqatën për trashëgimi dhe krijimtari kulturore, laureati ynë vazhdimisht është angazhuar në hulumtimin e vlerave shpirtërore dhe materiale të Luginës së Preshevës. Është autor i shumë veprave dhe ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore të mbajtura në Preshevë, në Prishtinë, në Tiranë dhe në Tetovë. Gjurmimi, ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës, kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së tij. Me veprime permanente për të ruajtur dhe për të afirmuar trashëgiminë kulturore të Luginës, i dhuroi letërsisë dhe kulturës shqiptare një numër të madh veprash dhe studimesh shkencore. Xhemaledin Salihu lindi në Preshevë më 14 gusht të vitit 1947. Arsimimin fillor dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Ndoqi studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën e Pedagogjisë. Pasi i kreu studimet, në vitin shkollor 1971-72, punoi si profesor në Tërnoc të Bujanocit, në paralelet që ishin pjesë e gjimnazit të Preshevës. Në vitin shkollor 1972-73, punon si profesor në gjimnazin e Preshevës për lëndën e psikologjisë dhe të sociologjisë. Në periudhën e viteve 1974 -1983 ka qenë drejtor i Shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë. Gjatë punës 9-vjeçare si drejtor i Shtëpisë së kulturës dha një ndihmesë të madhe për zhvillimin e veprimtarisë kulturore dhe artistike shqiptare në qytetin e tij të lindjes”- tha midis tjerash profesor Xhelal Zejneli.
Ai po ashtu vuri në dukje se puna e këtij veprimtari të palodhshëm nuk mbaron me kaq. “Ai organizon në Bujanoc Ekspozitën e artit dhe të fotografive të trashëgimisë kulturore. Një vit më vonë, pra më 2012, ka organizuar në Medvegjë konferencën shkencore Veshja shqiptare e Medvegjës dhe e viseve të tjera, ku kanë marrë pjesë studiues nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia si dhe nga Lugina. Në konferenca të caktuara të mbajtura në Tiranë, në Prishtinë dhe në vise të tjera shqiptare, Xhemaledin Salihu ka marrë pjesë edhe me kumtesa. Angazhimi i tij nuk ka vetëm përmasë kulturore, por ka edhe dimension kombëtar, politik dhe historik”, shtoi profesor Xhelal Zejneli.
Ndërkaq laureati Xhemaledin Salihu u shpreh se ndjehet shumë i nderuar dhe i privilegjuar që ndodhet në Tetovën atdhetare, qendër me rëndësi të madhe shkencore, arsimore, kulturore dhe kombëtare.
Sidomos ndjehet i privilegjuar për nderimin që i bëhet nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, me Çmimin kombëtar “Ali Vishko”, që e mban emrin e një veprimtari të shquar të arsimit dhe shkencës.
“Njëkohësisht ndjehem krenar sepse këtë çmim kombëtar, me kaq vlerë kulturore e kombëtare, e konsideroj, jo vetëm meritë të punës sime shumëvjeçare arsimore e kulturore, por edhe meritë të angazhimit dhe të punës së Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore të Luginës së Preshevës, të cilën e drejtoj qe dy mandate. Më lejoni që me rastin e kësaj ngjarjeje me rëndësi kulturore të them se kultura shqiptare dhe shqiptarët po shkojnë drejt bashkimit shpirtëror e kombëtar. Ndarja e Çmimit kombëtar më obligon edhe më shumë dhe më bën më përgjegjës në angazhimin tim, që së bashku me ju, të punojmë në kultivimin e kulturës së mirëfilltë kombëtare, në rizgjimin e dashurisë së të rinjve ndaj kulturës shqiptare dhe në mbrojtjen e ruajtjen e kulturës dhe të identitetit kombëtar, sepse kultura dhe identiteti kombëtar, kohët e fundit po na rrezikohen nga ndikimet e huaja kulturore dhe identitare” – theksoi laureati i Çmimit “Ali Vishko” për vitin 2019 – Xhemaledin Salihu.
Sivjet Shoqata “Tradita” ndau edhe disa mirënjohje. Për qëndresën përballë politikës hegjemoniste sllave, për veprimtarinë e tij patriotike, për synimet politike dhe historike si dhe për angazhimin për lirinë dhe për demokracinë e popullit shqiptar, mirënjohje i ndau veprimtarit të çështjes shqiptare – profesor Nevzat Halilit.
Ndërkaq, për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare,të gjuhës dhe të historisë, si dhe për përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, iu ndanë mirënjohje rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametit, kryetares së Komunës së Tetovës, z-nj. Teuta Arifit, Sekretarit shtetëror të Ministrisë së Kulturës të RMV-së, z.Valmir Azirit si dhe Myftinisë së BFI-së në Tetovë.

Edicioni VI i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti u përmbyll me programin artistik dhe orën letrare në të cilën poetë, përkatësisht shkrimtarë të njohur i lexuan poezitë e tyre, ndërsa nxënësit dhe studentët i deklamuan poezitë e poetëve të njohur të letërsisë shqiptare dhe të letërsisë botërore.

?????
?????
?????
?????
?????
?????
?????
?????
?????
Loading...