Presidenti Ilir Meta ka dalë mëngjesin e kësaj të hëne në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të sqaruar vendimin e tij në lidhje  me anulimin e zgjedhjeve  lokale më 30 qershor.

Duke cituar Kushtetutën ai tha se Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve dhe për zhvillimin e referendumeve. Ai shtoi se zgjedhjet janë moment bashkimi për qytetarët shqiptar dhe kurrsesi nuk mund të jetë ditë ndarëse.

“Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë Kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve. Pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo vendore nuk mund të zhvillohen. Kurrsesi data e zgjedhjeve nuk mund të jetë ditë përçarëse.

Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm që mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Është rrezik për paqen në vend. Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës cenon disa parime kushtetuese”, tha Meta.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti tha se dita e realizimit të zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi dhe jo përçarje për popullin dhe se 30 qershori është dekretuar në kushtet e një klime normale në vend.
“Është dekretuar data në kushtet e një klime normale politike në vend. Presidenti ka ndjekur në vijimësi masat administrative për realizimin e këtij procesi, por rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike, ato të opozitës nuk janë regjistruar, pasi sipas tyre nuk mund të garantohen standardet për zgjedhje të lira. Ky vendim i opozitës, pason vendimin e saj për djegien e mandateve. Nga ana tjetër Shqipëria po kalon një krizë kushtetuese. E gjithë kjo gjendje është shqetësuese dhe rrezikon stabilitetin e vendit.

Si President kam bërë të gjitha përpjekjet dhe kam bërë thirrje mes palëve që të gjejnë zgjidhje dhe të kalojnë krizën, por përpos thirrjeve sërish me keqardhje konstatoj se palët politike reflektojnë thellim të ndasive mes tyre.

Qeveria synon të shkojë e vetme në zgjedhje pa marrë asnjë hap për zgjidhen e krizës dhe dialog, nga ana tjetër edhe opozita shprehet se do të pamundësoje zgjedhjet, në vlerësim të situatës dhe gjuhës së urrejtje. Eksiton  rreziku që vendi të shkojë drejt përshkallëzimit të pasojave të pakontrollueshme. E konsideroj këtë moment si moment serioz për paqen në vend.

Nëse në zgjedhje merr pjesë vetëm maxhoranca atëherë popullit i cenohet e drejta për të votuar Standardet jo vetëm nuk përmbushen por shkelen në mënyrë flagrante Këto zgjedhje kështu bëhen zgjedhje jo demokratike”, u shpreh Meta.

Loading...