Mbrojtësi i Ajaxit, Matthijs de Ligt, ka thënë se nuk do ta marrë asnjë vendim të ngutshëm për të ardhmen, duke zbuluar se së pari do të shkojë në pushim dhe të mendojë mirë se ku do të luajë nga sezoni i ardhshëm.

Për yllin e Holandës është përfolur shumë se mund të kalojë në Barcelonë, Manchester United apo Juventus gjatë këtij afati kalimtar. Ai është në mesin e lojtarëve të rinj më të kërkuar në botë, transmeton Gazeta Express.

Pasi i ndihmoi klubit ta fitojë ligën dhe kupën e Holandës, si dhe ishte ylli i ekipit kombëtar në rrugë drejt finales në Ligën e Kombeve, garën inauguruese të UEFA-s, qendërmbrojtësi është njeri i kërkuar.

Pas ndeshjes finale të dielën, të cilën Holanda e humbi 1:0 ndaj Portugalisë, De Ligt tha se prioriteti i tij është të pushojë dhe t’i mbushë bateritë për sezonin e ardhshëm.

“Nuk e di”, u përgjigj De Ligt kur u pyet se cili do të jetë klubi i tij i ardhshëm.

“Tani do të shkoj në pushim dhe çlodhem dhe shohim pastaj. Kur pushon ke mjaftueshëm kohë për të menduar”, shtoi ai.

Loading...